Kthehu lart

​Këshilltari i Tërnaves mbron Bilibanin: Zekirja Qazimi e keqinterpretoi për xhihad e terrorizëm 

​Këshilltari i Tërnaves mbron Bilibanin: Zekirja Qazimi e keqinterpretoi për xhihad e terrorizëm  Mentor Gjergjaj Autori: Mentor Gjergjaj GazetaExpress

Një përkthyes i gjuhës arabe, i cili pranoi se njihet personalisht me tre prej katër imamëve të akuzuar për terrorizëm, tha të martën në gjykatë se ka pasur gabime në përkthimin që i është bërë një ligjërate arabisht të Idriz Bilibanit, e incizuar në Gjilan, vite më parë. Ai tha se aty nuk është përmendur fjala terrorizëm, por më vonë doli të jetë e kundërta. Përkthyesi Besim Mehmeti është ndihmës shef i kabinetit të myftiut Naim Tërnava

Besim Mehmeti, një profesor i gjuhës arabe në Fakultetin për Studime Islame në Prishtinë, të martën në mëngjes e kishte sjellë të transkriptuar, ashtu siç ia kishte kërkuar Gjykata Themelore e Prishtinës, versionin e tij të përkthimit të një video-ligjërate të imamit me prejardhje boshnjake Idriz Bilibani, i cili gjykohet për terrorizëm.

Mehmeti qysh në fillim të seancës gjyqësore ndaj Bilibanit, si dhe tre imamëve tjerë të akuzuar dhe politikanit Fuad Ramiqi, tha se në video-incizim ka vërejtur disa raste të përkthimet të gabueshëm që i janë bërë fjalimit në arabisht të imamit të akuzuar. 

Trupi gjykues konsideroi se në seancë duhet që të shfaqet e plotë ligjërata e incizuar vite më parë në Gjilan. Në incizim, përkthyes simulant kishte qenë imami Zekerija Qazimi, i dënuar me burg për rekrutim të terroristëve kosovarë, shkruan Gazeta Express. 

Ky, sipas këshilltarit të Naim Tërnavës, i cili në gjykatë erdhi si përkthyes i gjuhës arabe, në disa raste i ka shtuar fjalë që s'i ka thënë Bilibani gjatë ligjërimit në arabisht.

Gjatë dëshmisë së sotme Besim Mehmeti tha se Idriz Bilibani në video-incizim nuk përmend termin “terrorizëm” në gjuhen arabe. Thotë se këtë ia shtoi Zekirja Qazimi gjatë përkthimit simultan që i bëri ligjëratës së imamit boshnjak para të rinjve gjilanas. 

Megjithatë, derisa po shfaqej ligjërata, rezultoi se një shprehje e tillë është përdorur në disa raste nga i akuzuari.  Aty Bilibani kishte thënë se “muxhahidat po konsiderohen terroristë”, ndaj i quante injorantë të gjithë ata që i quanin të tillë.  

Ngjashëm, përkthyesi tha se në një nga pyetjet që i është bërë Bilibanit nga dëgjuesit e ligjëratës së tij, vite më parë, nuk i kërkohet që të flasë për muxhahidë, por për dijetarë. Ai aludoi se Qazimi gjatë përkthimit të tij simultan kishte zëvendësuar fjalën “dijetarë” me atë “muxhahidë”. 

Por, kur u përsërit video-incizimi në sallën e gjykimit, rezultoi se, megjithatë, pyetja ishte për muxhahidë dhe dijetarë – të dy kategoritë. 

I akuzuari Idriz Bilibani tha para trupit gjykues se në kohën kur e kishte bërë ligjëratën e incizuar, në arabisht, nuk kuptonte mirë gjuhen shqipe, sikurse e di sot.

“Kam qenë shumë i dobët në atë kohë sa i përket gjuhës shqipe”, tha ai. 

Megjithatë, në incizim shihet ndryshe. Në disa raste ai kuptonte se çfarë i thuhej, edhe pse kërkonte që t’i përsëritej në arabisht nga nikoqiri i atij takimi Zekria Qazimi. Ky i fundit, gjatë ligjërimit e lartëson imamin Idriz Bilibani për ligjëratën dhe njohuritë e tij për Kur'anin. 

Në ligjëratën e incizuar të imamit të akuzuar për terrorizëm, e mbajtur krah Zekria Qazimit, rekrutuesit të dënuar të terroristëve nga Kosova, shihet se si ai tregonte se myslimanët duhet lexuar dhe shpërndarë tek të tjerët librin dhe fjalën e Zotit (Allahut), të shkruar përmes Kur’anit.  

Aty, ai të rinjve, duke u folur në arabisht, u kishte treguar se si do të shpërblehen nga Krijuesi nëse ata bëhen muxhahidë të fesë, dhe si shehidët lajnë mëkatet e tyre tek Zoti pas flijimit të tyre.

Avokati i Bilibanit, Hajrip Krasniqi, në fund tha se mbrojtja nuk ka vërejtje në përmbajtjen e ligjëratës së imamit, e cila për gati dy orë u shfaq e gjitha në Gjykatë. Ai tha se vërejtjet janë për përkthyesin simultan – në këtë rast Zekria Qazimin. 

“Plotësisht shtrembëron këtë ligjëratë, ku flitet për diturinë, fenë e Allahut dhe shumë vlera njerëzore”, tha Krasniqi para trupit gjykues, raporton Gazeta Express.

Sipas tij, Idriz Bilibani, në video-incizimin që u shfaq e u përkthye në sallë edhe njohësi i gjuhës arabe - profesor i kësaj gjuhe në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë - jep porosi se si myslimanët duhet të jenë të butë, e jo të vrazhdë ndaj të tjerëve, e assesi të mos u bashkohen grupimeve terroriste.

Në fund të seancës së të martës, e cila nisi me vonesë prej gati 40 minutave për shkak se njëri prej anëtarëve të kolegjit gjykues, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili, pyeti këshilltarin e Naim Tërnaves se si e konsideron ai “Luftën në rrugën e Allahut”, shprehje te cilën ai gjatë përkthimit e tij e përdori për termin “muxhahid”. 

“Nuk jam kompetent me dhanë këtë përgjigje. Unë si e kuptoj është me i mbrojt vlerat e islamit”, tha Besim Mehmeti. 

Përkthyesi, me t'u paraqitur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, bëri të ditur se njihet personalisht me tre nga katër imamët e akuzuar në këtë proces gjyqësor. Vetëm për Bilibanin dhe Fuad Ramiqin tha se nuk ka raporte të mëparshme. 

Bilibani, bashkë me imamin Bedri Robaj, nga shtatori i vitit 2016 akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shtytje për kryerjen e veprimeve terroriste”. Në të njëjtin proces gjyqësor janë të akuzuar edhe dy imamët tjerë, Enes Goga e Mazllam Mazllami. Sipas Prokurorisë Speciale këta të fundit kanë kryer veprat penale “nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”. I fundit, në aktakuzë është politikani Fuad Ramiqi, i cili akuzohet për “Thirrje për rezistencë”.

Veprimet e të akuzuarve nuk ndërlidhen me njëri-tjetrin, ndonëse përfshihen të pestë në një aktakuzë. 

Në seancën paraprake, ekspertizë në gjykatë, si dëshmitar, kishte bërë edhe kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës Sadri Bajgora. Duke mbrojtur një ligjërim të Mazllam Mazllamit, që prokuroria e konsideron si nxitëse të urrejtjes, edhe vetë Bajgora i kishte ofenduar pjesëtarët e komunitetit LGBTI, duke i quajtur ata, në gjykatë, dukuri të shëmtuar.

Seanca gjyqësore e radhës u caktua për pas një jave, të martën, më6 shkurt 2018, nga ora 13:30. /M.Gj./GazetaExpress/. 

    Data: 30 Janar 2018 17:00
    Autori: Mentor Gjergjaj

    Të tjera