Kthehu lart

Isa Mustafa i mbush një javë në spital, a po fshihet sëmundja?

Isa Mustafa i mbush një javë në spital, a po fshihet sëmundja? GazetaExpress

Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, prej një jave, po vazhdon të qëndrojë në Spitalin Amerikan. Të dielën nuk kanë dhënë detaje të reja, as nga spitali dhe as nga partia, se pse po vazhdon të qëndrojë kaq gjatë në spital. Kanë thënë vetëm se presin që shpejt të lirohet të shkojë në shtëpi. Sa ishte kryetar i Prishtinës, më 2010, Mustafa u sëmur nga zemra dhe pati edhe ndërhyrje.

Isa Mustafa, ish-kryeministër, i ka mbushur një javë prej se është shtrirë në një spital privat në Prishtinë.

Ai u shtri në Spitalin Amerikan të hënën e kaluar, ndërsa u tha se kishte simptoma të gripit.

Zyrtarët e spitalit kanë thënë se Kryetari i LDK’së ndodhet ende i shtrirë derisa gjendja e tij shëndetësore është stabile.

Ata kanë deklaruar se Mustafa edhe për disa ditë tjera do të qëndrojë në spital, deri në përmirësimin e plotë të gjendjes së tij shëndetësore.

“Po, ai ende gjendet në spital. Gjendja e tij shëndetësore është stabile” i kanë thënë të dielën shkurt Express’it zyrtarë të këtij spitali.

Në të njëjtën kohë, edhe nga partia e Mustafës thonë se ai është mirë.

Nënkryetari i LDK’së Haki Rugova ka thënë se para disa ditëve e ka vizituar liderin e partisë së tij në spital dhe se Mustafa është dukur mirë.

“Më mirë është. Është në përmirësim e sipër. Unë vetë kam shkuar ta shoh. Ka qenë i sëmurë nga gripi. Por unë e pashë që ai është duke u përmirësuar”, ka thënë Rugova.

Zyrtari i LDK'së  ka deklaruar se presin që shumë shpejt Mustafa t’u bashkohet aktiviteteve të partisë.

“Ende nuk e di se kur do të lirohet, mirëpo po presim që së shpejti të dalë e t’i bashkohet partisë”, ka thënë Rugova për Express.

Se Isa Mustafa është prekur nga gripi sezonal kanë deklaruar të mërkurën edhe zyrtarisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Akademik Isa Mustafa, këto ditë ka qenë i prekur nga një grip sezonal, si pasojë e të cilit është detyruar që të trajtohet në institucionet shëndetësore”, thuhej në njoftimin e LDK’së.

Isa Mustafa në vitin 2010, atëherë në pozitën e kryetarit të Prishtinës, pat udhëtuar për në Bruksel, për t'iu nënshtruar një intervenimi në zemër.

Lideri aktual i LDK’së ka mbajtur pozita të lartë në hierarkinë komuniste para viteve te 90’ta. Pastaj, është bërë pjesë e Qeverisë së Përkohshme të Bujar Bukoshit në ekzil. Pas luftës, ka mbajtur pozita në udhëheqjen e institucioneve publike si në Bordin e UP’së. Një kohë ka shërbyer si Këshilltar i Fatmir Sejdiut për t’u bërë pastaj kryetar i Prishtinës deri më 2013. Më 2009 ka marrë pozitën e Kryetarit të LDK’së.

Në zgjedhjet e fundit, pas rrëzimit nga pozita e Kryeministrit, Mustafa vendosi të mos i hyjë as garës për deputet, duke ia lënë vendin e parë Avdullah Hotit.

    Data: 14 Janar 2018 13:16
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera