Kthehu lart

I akuzuari për vrasjen e policëve, shfaqet në Gjykatë me mjekër të “wahabive”

I akuzuari për vrasjen e policëve, shfaqet në Gjykatë me mjekër të “wahabive” Morena Kokollari Autori: Morena Kokollari GazetaExpress

Akuzohen se kanë shkrepur 108 plumba në drejtim të pjesëtarit të UNMIK’ut dhe pjesëtarit të Policisë së Kosovës, duke i lënë të dy të vrarë në fshatin Shtedime të Podujevës më 2004’ën. Për këtë krim të kryer para 13 viteve, të akuzuarit Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri dolën sot para gjykatës. Krasniqi, i dënuari me 27 vjet burg për një vrasje tjetër të dyfishtë, të kryer në vitin 2003, shihet se si ka ndërruar rrënjësisht, duke u bërë një besimtar radikal brenda burgut. Ai tash ka mbetur edhe pa mbrojtje ligjore, pasi që refuzoi që një avokat femër

Radikalizmit brenda burgut nuk i ka shpëtuar Bedri Krasniqi, i dënuar me 27 vjet burg për vrasjen e dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, të kryer në vitin 2003, si dhe me 17 vjet burg për kidnapimin e pronarit të fabrikës "Gllareva", Azem Morina.

Të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me të filluar seanca gjyqësore e rastit të vrasjes së pjesëtarit të UNMIK’ut, Possible Essuman dhe pjesëtarit policor, Arsim Rrustolli, i akuzuarit Bedri Krasniqi tha se nga mediat ka mësuar se është i akuzuar për këtë rast. Kjo ishte seancë gjyqësore e shqyrtimit të dytë. Në shqyrtimin e parë, Express ka përcjellë seancën ku është lexuar aktakuza nga ana e prokurorit të EULEX, Danillo Cicarelli, shkruan Gazeta Express.

I akuzuari për vrasjen e policëve, shfaqet në Gjykatë me mjekërr të “wahabive”

“Nga mediat kam mësuar që jam i akuzuar për këtë vepër penale, këtë e kam mësu para 5 muajve. Asnjë shkresë e lëndës dhe as aktakuza kurrë s’m’u ka dorëzu. Isha dashtë edhe unë me qenë i pajisur me shkresat e lëndës, ndryshe, qysh muj me u mbrojtë unë prej provave të prokurorit, kur s’kam asgjë në duar”, tha i akuzuari Bedri Krasniqi.

Seancën e kaluar, derisa të gjithë të akuzuarit kishin avokatët e tyre, i dënuari me burg, Bedri Krasniqi, nuk pranoi të përfaqësohet nga avokatja të cilën ia kishte caktuar gjykata në bashkëpunim me Odën e Avokatëve. Kësisoj Krasniqi ka mbetur pa mbrojtje për shkak se, siç ka thënë, e ka gruan xheloze.

“Jo veç që s’du avokat, po edhe grunë e kam xheloze, s’muj me pranu avokate po edhe s’mundet me më ndihmu”, pati thënë Krasniqi seancën e kaluar.

Avokatja e caktuar nga gjykata për Bedri Krasniqin kërkoi të premten që të shtyhet seanca për shkak se nuk ishte pajisur me dokumentacionin, dhe në bazë të kësaj, asaj iu pamundësua që t’i kundërshtojë provat e Prokurorisë së EULEX, e cila ka ngritur këtë aktakuzë.

Prokurori i këtij rasti, pas Krasniqit dhe avokates së tij, tha se detyra e tyre është që shkresat t’i dorëzohen avokatit të mbrojtjes e jo klientit.

“Megjithatë, obligimi është kryer nga ana e prokurorisë”, tha prokurori i EULEX, Danillo Cicarelli.

Krasniqi pas kësaj tha se s’ka marrë nga askush asnjë dokument, duke përfshirë edhe aktakuzën.

Për radikalizimin brenda burgjeve të Kosovës, në vitin 2015 eksperti ushtarak, Roland Bartetzko ka bërë një studim në të cilin ka thënë se numri i personave që janë radikalizuar në burgjet e Kosovës është i vështirë për t’u përcaktuar, pasi që, sipas tij, ata zakonisht nuk janë në kategorinë e rrezikut të lartë brenda vetë burgut dhe nuk ekziston monitorimi i veçantë për ta.

Ai, madje, ka përmendur në këtë studim edhe faktin se Sistemi Korrektues i Kosovës (sistemi i burgjeve) “nuk ka një kategori shtesë për të burgosurit radikalë islamikë dhe shumica e të burgosurve që kanë kryer krime në lidhje me terrorizmin islamik, janë vendosur në kategori të lartë të sigurisë”.

Rreth këtij studimi, Gazeta Express ka shkruar më 22 shtator të këtij viti “Hulumtim | Gjyqi i xhihadistëve në Kosovë”.

Për këtë çështje eksperti i sigurisë, Burim Ramadani thotë se radikalizmi nëpër burgje është një prej sfidave që kanë shtetet në kohën e ekzistimit të këtyre ideologjive radikalizuese.

“Jo rrallë, nëpër vende të ndryshme, është vërtetuar një dukuri e tillë. Në rastin e Kosovës, ka pasur përpjekje të institucioneve për të parandaluar një gjë të tillë, porse nuk mund të thuhet se kjo është parandaluar në tërësi”, ka thënë Ramadani për Express.

Ai thotë se autoritetet duhet të monitorojnë dhe të kontrollojnë komunikimin, literaturën, përmbajtjen e aspekteve ideologjike si dhe ndërveprimin personal te të burgosurit.

“Duhet kaluar më saktësisht në implementimin e programeve të detajuara për angazhimin e të burgosurve në çështje të ndryshme edukative, në të cilat ata dhe ato mund të marrin profesione të caktuara, që do të mund t'i ushtronin profesionalisht pas vuajtjes së dënimit”, thotë eksperti i sigurisë.

“Ka përpjekje të institucioneve, porse duhet ndërtuar program nacional krejtësisht të detajuar për këtë fushë”, përfundoi Burim Ramadani.

Prokurori i EULEX’it Danilo Cicarelli kishte ngritur aktakuzë kundër Bedri Krasniqit, Alban Dizdarit, Bajram Kiqmarit dhe Faik Shaqirit në korrik të këtij viti.

Në këtë rast implikohet edhe një i dënuar tjetër, por të cilin EULEX nuk e ka përfshirë në aktakuzë, pasi që i njëjti tashmë po vuan dënimin e caktuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 9 nëntor të 2007’ës, për po të njëjtën vrasje. Bëhet fjalë për Shkumbin Mehmetin, një vrasës i penduar që ka vite që ka filluar të bashkëpunojë me Prokurorinë. Ai ka pranuar se ka marrë pjesë në vrasje, kontrabandim të lëndëve narkotike, hajni, eksplodime e kidnapime.

Aktakuza e prokurorit të EULEX’it, shpjegon se si ka ndodhur ky sulm ndaj veturës së Policisë së UNMIK’ut para 13 vjetësh. Më 23 mars 2004 pjesëtarët e këtij grupi ishin në fshatin Shtedime të Podujevës, ku Agron Sylejmani (tani i ndjerë) bëri planin për të zënë në pritë një veturë të UNMIK’ut.

Aktakuza, në të cilën akuzohen Bedri Krasniqin, Alban Dizdari, Bajram Kiqmarin dhe Faik Shaqirin, është e mbështetur kryesisht në dëshminë e Shkumbin Mehmetit, i cili ishte pjesë e këtij grupi. Së bashku me Mehmetin, këta katër të akuzuar dyshohet se janë përgjegjës për vrasjen e policit të UNMIK’ut, Possible Essuman.

Kujtojmë se Gjykata e Qarkut e Prishtinës më 9 nëntor të 2007’ës, shpalli fajtor për terrorizëm vetëm Shkumbin Mehmetin, derisa i liroi nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.

Bajram Kiqmari dhe Alban Dizdari u arrestuan në korrik të 2017’ës, derisa Faik Shaqiri për të njëjtat akuza, ishte arrestuar në Gjermani e më pas u ekstradua në Kosovë./GazetaExpress/

    Data: 17 Nentor 2017 16:20
    Autori: Morena Kokollari

    Të tjera