Kthehu lart

Haradinaj - ministrave: 10 minuta në ditë ju mjaftojnë për të kryer obligimet

Haradinaj - ministrave: 10 minuta në ditë ju mjaftojnë për të kryer obligimet GazetaExpress

Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, me fokus në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA). Ai u kërkoi ministrave të kabinetit të tij që të jenë korrekt në përmbushjen obligimeve të tyre.

“Kërkesa ime për ju, ministra, është që të vendosni një metodologji pune në Ministri. Ju siguroj që dhjetë minuta çdo ditë në fillim të ditës, do të mjaftojnë, nëse i thirrni njerëzit përgjegjës dhe kërkoni nga ata detyrat e parapara, dhe ju raportojnë çdo ditë se çfarë kanë bërë dhe në fund të javës jeni të pajisur me çfarë ju duhet”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka theksuar se përmbushja e detyrave për këtë vit, do të jetë përcaktues për vendosjen e detyrave për vitet e ardhshme.

“Siç e dini, kemi vonesa të mëdha në zbatimin e MSA-së. Një kohë të gjatë nuk ka ndodhur asgjë ose shumë pak. Është bërë një punë në favor të Kosovës, duke u identifikuar detyra konkrete për këtë vit. Po afrohet fundi i vitit dhe ne duhet të dimë a jemi të zotët të kryejmë të gjitha detyrat që janë paraparë, dhe kur të vendosim detyrat për vitin tjetër, të bazohemi në objektivat e arritura sivjet”, tha ai.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka kërkuar seriozitet në zbatimin e prioriteteve.

“Duhet të tregojmë përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e prioriteteve, konkretisht duke promovuar qeverisjen e mirë, fuqizimin e sundimit të ligjit, duke mbrojtur konkurrueshmërinë, përmirësimin e klimës së investimeve dhe avancimin e politikave të punësimit dhe arsimit të lartë, pra të gjitha prioritetet që dalin nga procesi i ERA-s“, tha ministrja Hoxha.

    Data: 09 Tetor 2017 16:31
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera