Kthehu lart

Haradinaj: Do të tejkaloj premtimet për arsimin

Haradinaj: Do të tejkaloj premtimet për arsimin GazetaExpress

Kryeministri Ramush Haradinaj takoi sot përfaqësues të SBASHK-ut, PTK-së dhe KEK-ut për të folur rreth problemeve dhe gjetjes së zgjidhjeve në arsim, por edhe në dy kompanitë publike.

Haradinaj i premtoi kryetarit të SBASHK-ut Rrahman Jashari se gjendja në arsim do të ndryshojë.

“Gjendja në arsim do të ndryshojë, jo vetëm në sipërfaqe, por substancialisht. Do të realizojmë më shumë se sa që kam premtuar”, i tha Haradinaj Jasharit, sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit.

SBASHK-u në muajin gusht kishte paralajmëruar grevë në sistemin e arsimit gjatë muajit shtator, ngase kërkesat e sindikatës për tri paga të pensionuarve nga arsimi, pagësë të shujtës dhe udhëtimit të arsimtarëve, nuk po respektohen.

“Kryeministri dëgjoi për të gjitha problemet që i shqetësojnë punëtorët e arsimit dhe u premtoi atyre se do të angazhohet, që këto probleme të zgjidhen sa më shpejt”, thuhet më tutje në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Në takim me sindikalistët e PTK-së Haradinaj premtoi ngjallje të kësaj ndërmarrjeje.
“Duam ta ngjallim Kosovën dhe sektorin e posttelekomit. Ky takim me ju më ndihmon të shoh problemet edhe nga prizmi juaj. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, që ta rikthejmë këtë kompani në këmbë”, tha Haradinaj, raporton Kallxo.com.

Delegacioni i Sindikatës së PTK-së e njoftoi Haradinajn Telekomi dhe Posta e Kosovës janë në gjendje shumë të keqe.

Haradinaj, sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit, u takua sot edhe me sindikalistët e KEK-ut.

“Në takim u fol për mihjet, gjendjen e Termocentralit A dhe B, për mënyrën se si do të mund të përmirësohet gjendja e punëtorëve dhe funksionimi më i mirë i KEK-ut si tërësi”, thuhet në komunikatë.

Në shtator qeveria i hapi rrugë zhvendosjes së banorëve të Shipitullës për shfrytëzimin e qymyrit nga mihjet sipërfaqësore.

Ai më pas në shtator arriti marrëveshje me këta banorë për zhvendosjen.



    Data: 07 Tetor 2017 19:45
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera