Kthehu lart

​Gjyqi i imamëve, shtatë persona që i kanë dëgjuar ligjëratat e Idriz Bilibanit kanë luftuar në Siri

​Gjyqi i imamëve, shtatë persona që i kanë dëgjuar ligjëratat e Idriz Bilibanit kanë luftuar në Siri Mentor Gjergjaj Autori: Mentor Gjergjaj GazetaExpress

Së paku 7 persona, të cilët i kanë dëgjuar ligjëratat e Imamit Idriz Bilibani, kanë përfunduar të vrarë, ose janë gjykuar për terrorizëm në Kosovë, pas kthimit nga Siria. Ligjëratat e tij, sipas Prokurorisë Speciale, janë gjetur të incizuara gjatë kontrollit që është bërë në pajisjet elektronike të imamit nga Gjilani, Zekirija Qazimi, i dënuar me 10 vjet burg për rekrutim të terroristëve nga Kosova

Të martën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka vazhduar gjykimi i katër imamëve të akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, si dhe politikani Fuad Ramiqi, i akuzuar për thirrje për rezistencë. 

Prokurori Haki Gecaj ka propozuar që të thirren për të dëshmuar në gjykatë dy hetues policorë të Drejtorisë së Antiterrorizmit në Prishtinë, të cilët, sipas tij, gjatë ekzaminimit të disa video-incizimeve kanë gjetur fakte të reja në raport me imamin e akuzuar Idriz Bilibani. 

Sipas prokurorit special, në video-incizimin e një ligjërate të imamit me prejardhje boshnjake, e gjetur në pajisjet elektronike të Zekirija Qazimit, tashmë të dënuar për rekrutim të kosovarëve në ISIS, janë identifikuar të paktën shtatë persona, të cilët kanë dëgjuar ligjërimin e hoxhë Bilibanit. Këta persona ndodhen në zonën e luftimeve në Siri e Irak, ose janë gjykuar në Kosovë për terrorizëm. 

Megjithatë, trupi gjykues ka refuzuar kërkesën e prokurorit për t’u ftuar oficerët e Policisë së Kosovës për të dëshmuar, derisa kanë pranuar që në seancën e ardhshme të caktuar pas një muaji, më 13 dhjetor 2017, të shfaqet dhe të analizohet në gjykatë video-incizimi në fjalë. 

Për video-incizimin, vetë imami nga Prizreni ka kërkuar që të analizohet koha kur është regjistruar, raporton Gazeta Express. 

“Nëse kjo ligjëratë më së voni është bërë në vitin 2012, atëherë në atë kohë nuk kanë ekzistuar organizatat terroriste, andaj kjo ligjëratë nuk ka kurrfarë efekti”, i ka thënë Idriz Bilibani, në gjuhën boshnjake, trupit gjykues. 

Në seancën e të martës, ndaj Idriz Bilibanit, Mazllam Mazllamit, Bedri Robajt, Enes Goges dhe Fuad Ramiqit, e cila nisi me një orë vonesë, Prokurori Special ka njoftuar trupin gjykues dhe avokatët mbrojtës për provat që janë pranuar për administrim në gjykatë. Të tilla si procesverbale të bastisjeve të shtëpive të të pesë të akuzuarve, raportin e agjencisë së forenzikës për ekzaminimin e pajisjeve, leximi i transkripteve të komunikimeve me SMS të imamit Bedri Robaj me një luftëtar të ISIS-it nga Kosova, komunikimet me SMS të të njëjtit imam me familjarët e Pajtim Ollurit, pas vrasës së tij në Siri, video-incizimi i ligjëratës së Idriz Bilibanit i gjetur në pajisjet elektronike të Zekria Qazimit, 15 CD me incizime të Mazllam Mazllamit, video-incizimi i ligjëratës së Mazllamit në të cilin nxit urrejtje ndaj komunitetit LGBTI dhe Avokatit të Popullit, etj.

Avokati mbrojtës i Mazllam Mazllamit, Bajram Tmava, me t’u përmendur si provë e administruar në gjykatë “video-incizimi i ligjëratës së Mazllamit në të cilin nxit urrejtje ndaj komunitetit LGBTI”, ka reaguar ndaj, sipas tij, këtij interpretimi. 

Ai tha se klienti i tij qysh në fillim i ka pranuar këto video-incizime siç janë, porse do të sqarojë përmbajtjen e ligjërimeve të tij. 

“E pranojmë atë incizim, ato fjalë të cilat janë shqiptuar gjatë ligjëratës, por jo me u komentu, e veçmas p.sh. nxit urrejtje ndaj avokatit të popullit. Këtë pjesë nuk e pranojmë. Për pjesën tjetër do të sqarohemi”, tha avokati i të akuzuarit për “Nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”. 

Si provë e administruar është përmendur edhe një letër e shkruar nga një i akuzuar për terrorizëm, e cila është gjetur në shtëpinë e Bedri Robajt, gjatë bastisjes, raporton Gazeta Express. 

Avokati i imamit Robaj, Avdullah Robaj, ka thënë se duhet specifikuar se letra nuk ka qenë e dedikuar për klientin e tij, edhe pse është gjetur në shtëpinë e tij. 

Derisa në seancën gjyqësore ndaj 5 të akuzuarve katër prej tyre kanë pranuar që provat të administrohen në gjykatë ashtu siç janë, ka qenë vetëm mbrojtja e Idriz Bilibanit që ka kërkuar shqyrtimin e tyre dhe shfaqjen e incizimeve.

Trupi Gjykues, po ashtu, ka vendosur që në seancën e 13 dhjetorit të ftojë për të dëshmuar edhe kryeimamin e BIK-ut, Sadri Bajgora, i cili në një përgjigje të BIK-ut për Prokurorinë Speciale ka nënshkruar dokumentin në të cilin thotë se ligjëratat e imamit nga Peja Enes Goga janë jo etike dhe në mospërputhje me mësimet e profetit Muhamed dhe islamit. 

Ndërsa, ky trup gjykues ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Gogës, që në seancën e kaluar kishte kërkuar që disa prova të prezantuara nga mbrojta të pranohen për shqyrtim nga gjykata. 

Seanca e radhës, e caktuar më 13 dhjetor 2017, do të nisë në orën 09:00, derisa në të do të shfaqet i plotë video-incizimi i ligjëratës së Idriz Bilibanit dhe do të dëshmojë Sadri Bajgora për ligjëratat e imamit Enes Goga. 

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës, në shtator të vitit të shkuar ka ngritur aktakuzë ndaj imamëve Bedri Robaj dhe Idriz Bilibani, të akuzuar për veprën penale “Shtytje për kryerjen e veprimeve terroriste”, Enes Gogën e Mazllam Mazllamin të akuzuar për “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”. Në të njëjtën aktakuzë përfshihet edhe politikani Fuad Ramiqi, që akuzohet për “Thirrje për rezistencë”.

Veprimet e të akuzuarve nuk ndërlidhen me njëri-tjetrin, ndonëse përfshihen të pestit në një aktakuzë. Ky fakt është potencuar vazhdimisht nga mbrojtësit e të akuzuarve, edhe në seancën e fundit, sikurse në ato paraprake. /M.Gj./GazetaExpress/. 

    Data: 14 Nentor 2017 15:20
    Autori: Mentor Gjergjaj

    Të tjera