Kthehu lart

Gjykata Themelore hedh poshtë aktakuzën për rastin "APEX" ku përmenden edhe emrat e vëllezërve Haradinaj

Gjykata Themelore hedh poshtë aktakuzën për rastin "APEX" ku përmenden edhe emrat e vëllezërve Haradinaj GazetaExpress

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me anë të të cilit është hedhur poshtë aktakuza si e palejueshme dhe e parregullt, në rastin e njohur si “APEX”, i cili ishte kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se aktakuza hidhet poshtë sepse ndjekja penale është penguar nga pushimi “ex-lege” i hetimit lidhur me të gjithë të akuzuarit dhe si rrjedhojë procedura penale është pushuar.

Në aktvendim, gjithashtu, thuhet se kolegjiumi i Gjykatës Supreme në mbledhjen e përgjithshme të mbajtur në shtator të vitit 2016, ka miratuar edhe një mendim juridik në bazë të të cilit është paraparë se nëse hetimet kanë filluar pas hyrjes në fuqi të Kodit Procedurës Penale, sa i përket kohëzgjatjes së hetimit dhe pasojave të tejkalimit të këtij afati, do të aplikohen dispozitat e nenit 159 të këtij Kodi.

Po ashtu, në aktvendim thuhet se në praktikat e gjykatave janë paraqitur divergjenca lidhur me interpretimin e drejtë të këtij neni, ku thuhet se nuk ka aplikim unik të kësaj dispozite ligjore.

Në aktvendim, thuhet se periudha dyvjeçare e hetimit e përcaktuar me nenin 159 të KPPK-së ka skaduar për të gjithë të akuzuarit, për shkak se hetimet kanë filluar më 6 mars 2013, kurse aktakuza është ngritur më 2 prill 2015.Në seancën e shqyrtimit të dytë, më 25 tetor 2017, mbrojtja e kishte konsideruar aktakuzën të pasafatshme.

Avokati mbrojtës i Arben Krasniqit, Arianit Koci, kishte deklaruar se konsideron se aktakuza është ngritur në kundërshtim me paragrafin e parë të nenit 159 të Kodit për Procedurë Penale si dhe nenin 68. Gjithashtu, Koci kishte shtuar se mbrojtja konsideron se janë plotësuar kushtet, sipas nenit 250 i Kodit për Procedurë Penale, dhe ekzistojnë rrethanat që e pengojnë ndjekjen penale në këtë rast.

Kurse, avokati Destan Rukiqi i cili mbron të akuzuarin Astrit Krasniqi, kishte kërkuar që gjykata të ketë parasysh mendimin juridik e kolegjiumit të Gjykatës Supreme të Kosovës.  Këtë propozim e kanë përkrahur mbrojtësit e akuzuarve të tjerë.

Në mendimin juridik të Gjykatës Supreme, potencohet se nëse vepra penale është kryer pas hyrjes në fuqi të KPPK-së, hetimet duhet të përfundojnë brenda 24 përkatësisht 30 muajve, dhe nëse brenda këtij afati, prokurori nuk ka ngritur aktakuzë, ai menjëherë merr aktvendim për pushimin e hetimeve dhe pushimin e çështjes.

Prokurori i EULEX-it, Allen Cansick, në fjalën e tij kishte thënë se çështja e aktakuzës së vonuar nuk është më çështje në këtë rast, duke pasur parasysh aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku është vendosur për këtë çështje. Sipas prokurorit Cansick, aktvendimi i Gjykatës së Apelit konsideron se është i detyrueshëm për këtë gjykatë. Gjithashtu, shtoi se prokuroria mbështetet në përgjigjen e saj për parashtresat e mbrojtjes të 16 dhjetorit të vitit 2015.Kurse, avokati Destan Rukiqi, kishte thënë se nuk qëndrojnë pretendimet e prokurorit se me aktvendim të Gjykatës së Apelit është vendosur për aktakuzën e pasafatshme.

Rukiqi kishte deklaruar se me këtë aktvendim është vendosur rivendosja. Sipas tij, gjykata nuk e ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, por e ka anuluar.

Ndryshe, procedura e rastit “Apex” ishte pushuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të vitit 2016, me arsyetimin se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ishte ngritur jashtë afatit ligjor të hetimeve prej dy vjetësh.

Mirëpo, pas ankesës së prokurorisë, kolegji i Apelit në prill të vitit 2016, kishte vendosur që ky rast të kthehet në rivendosje. Apeli me shumicë votash kishte konstatuar se ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme të cilat e justifikojnë pranimin e kësaj aktakuze së ngritur me vonesë prej pak ditësh, duke konsideruar se një vonesë e tillë nuk i privon të pandehurit nga e drejta për gjykim të drejtë.

Aktakuza e ngritur nga prokurori i EULEX-it, Allen Cansick, i ngarkonte Arben Krasniqin dhe Astrit Krasniqin se si pronar të kompanisë së kazinos “Apex” “Play4Win”, që nga viti 2008 e deri në 2013 kanë ushtruar aktivitete kriminale si pjesë të grupit të organizuar kriminal.

Sipas aktakuzës ky grup kishte detyruar bizneset apo individët e tjerë që t’i mbyllin kazinotë e tyre, të largojnë makina të caktuara të lojërave të fatit me qëllim të përfitimit material të jashtëligjshëm për kazinot e kompanisë “Apex”.Sipas prokurorisë, në po të njëjtën periudhë kohore, Arben Neziri, Avni Morina, Mujë Berisha, Gani Zekiraj, Kushtrim Hakaj, Agron Hoxha, Arsim Molliqaj, Ilir Morina dhe Luan Halilaj kanë marrë pjesë në aktivitetet e këtij grupi të organizuar kriminal edhe pse të njëjtit e kanë ditur se një pjesëmarrje e tillë do t’i kontribuonte arritjes së qëllimeve të veprimtarisë kriminale. Në bazë të aktakuzës së ngritur më 3 prill 2015, Arben Krasniqi bashkë me Ragip Alushaj në mes të shtatorit dhe tetorit të vitit 2008 kanë përdorur kërcënime serioze për ta penguar policin Enis Lluka, gjatë ushtrimit të detyrës së tij zyrtare.Tutje, në korrik të vitit 2013, Arben Krasniqi, Astrit Krasniqi dhe Gani Zekiraj, kanë detyruar dëshmitarin N, që i njëjti të informoi Agjencinë Kosovare të Pronës (AKP) për tërheqjen e tij nga një kontratë për përdorimin e tokës së njohur si “kinema verore”. Të pandehurit e lartpërmendur duke e abuzuar verbalisht dhe duke i shkaktuar dëme shëndetësore këtij dëshmitari, e kanë detyruar të njëjtin që të ekzekutojë të drejtën e tij për të marrë me qira tokën e njohur si “kinema verore”.

Sipas aktakuzës, në tetor të vitit 2013, Arben e Astrit Krasniqi dhe Arben Neziri, kanë detyruar me dhunë dëshmitarin O për të bërë një pagesë në vlerë prej 20.000 eurosh për Astrit Krasniqin.

Në dispozitivin e fundit të aktakuzës thuhej se më 28 tetor 2013, në shtëpinë e Arben e Astrit Krasniqit dhe Arben Nezirit, janë gjetur pistoleta dhe municione të llojit të ndryshëm. Madje në  shtëpinë ku banon Neziri, është gjetur edhe një sasi e substancës narkotike, e llojit kokainë.

    Data: 07 Dhjetor 2017 11:56
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera