Kthehu lart

Gashi flet për mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër

Gashi flet për mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në Kartonin e Gjelbër GazetaExpress

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi. ka sqaruar barrierat dhe mundësitë që Kosova ka për të hyrë në Kartonin e Gjelbër.

Sipas tij, problemi thelbësor mbetet faktori politik, apo mos-anëtarësimi në Kombe të Bashkuara. Megjithatë, sipas tij, ky nuk është kriteri i vetëm kyç për anëtarësim, që i mungon Kosovës. Përpos anëtarësimit në Kombe të Bashkuara, Kosova ka edhe barrierën e të mos qenit nënshkruese e Konventës së Vjenës.

Gashi ka sqaruar se Kosova ka mundësi që të arrijë një memorandum me shtetet e BE-së që kanë pranuar Kosovën si shtet dhe me to të ketë mbulueshmëri të Kosovës me Karton të Gjelbër.

“Për pranim duhet të jemi anëtar të Kombeve të Bashkuara, sipas një prej pikave kryesore. Ne kemi tentuar të bëhemi edhe anëtar i asociuar, ku s’kemi drejtë vote, por marrim përsipër detyra nga byroja qendrore dhe ato duhet t’i kryejmë. Nuk ka pranuar byroja, sepse Këshilli Ekzekutiv i tyre thotë se edhe kjo duhet të lidhet me të qenit anëtar i OKB-së. Është modaliteti tjetër, sikur Mali i Zi dhe Serbia. Serbia e ka suportuar Malin e Zi pesë vjet me Karton të Gjelbër deri sa i kanë plotësuar kushtet dhe të njëjtin modalitet e kemi kërkuar që ta marrim një mbulueshmëri nga dikush tjetër. Por kjo nuk ndodh sepse byroja e shpreh një vendim të vetin dhe thotë se edhe kjo duhet të jetë e mbuluar me pikën për Kombe të Bashkuara. Kemi propozuar që BE-ja ta suportojë Kosovën për të bërë një marrëveshje me shtetet që na kanë pranuar dhe me memorandum Kosova të mbulohet. Ky është opsioni që ka mbetur i hapur”, ka thënë Gashi në KTV.

Ai ka shtuar se kjo punë tash është në duart e byrosë kosovare dhe të Qeverisë që duhet të marrin masa për bashkëpunim me shtetet anëtare të Kartonit të Gjelbër, e që e kanë njohur Kosovën. Sipas tij, duhet koordinim më i madh brenda nga byroja dhe politika, dhe se deri tani kjo çështje s’është marrë seriozisht sa duhet.

Sa i përket Konventës së Vjenës, Gashi ka thënë se sikur Kosova të ishte nënshkruese do ta kishte më të lehtë të legalizonte targat e regjistrimit dhe të legalizonte shenjëzimin e Kosovës. Ai ka thënë se UNMIK-u ka pasur mundësi të nënshkruante atë më 2004, por Kosova s’kishte pranuar që ajo të nënshkruhej në emër të UNMIK-ut.

Gashi ka thënë po ashtu se Kosova është larg edhe me kushtet e brendshme që duhet plotësuar për të qenë anëtare e Kartonit të Gjelbër.

“Angazhimi duhet të jetë permanent dhe jo sezonal. Duhet të plotësohen të gjitha kushtet jashtë, pastaj ato për brenda. Do të jetë kusht shenjëzimi i rrugëve identik me Evropën e nuk duhet të ketë më shumë se pesë për qind vetura të paregjistruara. Sipas informatave kemi 20-25 për qind të automjeteve të paregjistruara. Edhe po të jemi anëtar të OKB-së mos të mendojë dikush se menjëherë e marrim Kartonin e Gjelbër”, është shprehur ai.

Ai e ka quajtur “dhunë”, policën kufitare për hyrje në Kosovë teksa ka shtuar se së shpejti mund sigurohet shitja e Kartonit të Gjelbër për dalje nga Kosova përmes një byroje të jashtme. Sipas tij, ky do të ishte benefit i madh për kosovarët.

    Data: 17 Maj 2018 18:45
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera