Kthehu lart

Facebook teston programin për parandalimin e abuzimeve pornografike online

Facebook teston programin për parandalimin e abuzimeve pornografike online GazetaExpress

Leah Juliett ka rënë viktimë e hakmarrjes pornografike kur ajo ishte vetëm 14 vjeçe.

“Unë u ndjeva shumë e turpëruar, jam ndjerë sikur më kishin shfrytëzuar seksualisht. Gjithashtu, u ndjeva sikur ishte faji im sepse unë i kisha dërguar fotot dhe për këtë fajësova veten time”, tha Juliett, e cila tani është 21 vjeçe.

Hakmarrja pornografike është një formë e ngacmimit përmes platformave të mediave sociale si Facebook që përfshin shpërndarjen e fotove personale intime pa pëlqimin e vetë personit.

Juliett tha se ajo i kishte besuar një djali, të cilit i kishte dërguar fotot e saj personale, pasi ai e përgjonte atë për rreth një vit.

“Në atë kohë vetëbesimi im ishte i ulët dhe unë i besova këtij djali “, tha ajo.

Djali, i cili ndiqte të njejtën shkollë të mesme me Juliett në Connecticut,  i publikoi fotot e saj në një faqe interneti dhe më pas miqtë dhe disa të panjohur i tregojnë asaj për atë që kishte ndodhur.

Sipas një sondazhi të vitit 2016, i kryer nga instituti i kërkimeve “Data and Society”  me pjesëmarrjen e 10 milionë amerikanëve, rreth një në 25 persona kishte rënë viktimë e shpëndarjes pornografike nëpërmjet rrjeteve sociale pa pëlqimin e tyre.

Gjithashtu sipas sondazhit, një në 10 gra nën moshën 30 vjeçe , kishin rënë viktimë e shpërndarjes pornografike pa pëlqimin e tyre ndërsa për personat lezbikë, homoseksualë, biseksualë dhe transeksualë (LGBT), numri ishte edhe më i lartë.

Lidhur me shqetësimin e pasojave të shkaktuar nga ky fenomen, Facebook ka nisur një program pilot që ka për qëllim të mbrojë viktimat e mundshme dhe të parandalojë  pornografinë e hakmarrjes por ky program të kërkon edhe një veprim tjetër  të fshehtë.

Viktimat potencialë  duhet të dërgojnë fotot e referuara duke përdorur aplikacionin, Facebook Messenger.

Më pas , specialistët do të bëjnë analizën e tyre dhe të përcaktojnë nëse ato përshtaten me kriteret e fotove që janë përdorur për hakmarrje pornografike duke përdorur programin “hash” .

Programi “Hash”është një funksion kompjuterik që shërben për përshpejtimin e tabelës ose kërkimin e bazës së të dhënave duke zbuluar informacione të dyfishta në një skedar të madh , e përdorur gjerësisht në software-t kompjuterike për kërkimin e shpejtë të të dhënave.

“Procesi i “Hash” që funksionon si një gjurmë gishtash elektronike do të ruhet por jo vetë imazhi”, sipas Facebook.

Aktualisht , ky program është duke u testuar në Australi, ku Facebook është duke bashkëpunuar me zyrën e Komisionerit për Sigurinë e Fëmijëve, që ka për qellim edukimin dhe mbrojtjen online të fëmijëve dhe të të rinjve.

Sipas këtij programi, përdoruesit australianë të Facebook-ut  të cilët janë të shqetësuar  se dikush mund të shpërndajë fotot e tyre intime në  rrjetin e mediave sociale mund të kontaktojë menjëherë me zyrën e Komisionerit të Sigurisë dhe nëse kërkesa e tyre miratohet , viktima e mundshme mund t’i dërgojë fotografitë personale duke përdorur aplikacionin e mesazheve , Messenger .

“Aktualisht, ky program nuk është i disponueshëm, por do të bëhet i mundur për personat,  rastet e të cilëve do të miratohen nga Komisioneri i Sigurisë australiane”, njoftoi Facebook.

“Ne jemi të vetëdijshëm se raportimi i fotove personale të shpërndara pa pëlqimin e  përdoruesit mund të përbëjnë një rrezik por ne po përpiqemi të shqyrtojmë dëmet më të mëdha të botës reale që ndodhin çdo ditë kur personat (kryesisht gratë) nuk mund ta ndalojnë postimin e fotove intime “, tha shefi i Sigurisë së Facebook-ut,  Alex Stamos nëpërmjet “Twitter-it”.

Fotoja e dërguar në Messenger do të shqyrtohet nga një përfaqësues i trajnuar posaçërisht për këte rast përpara se të kaloj në programin  “hash”.

Nëse dikush do të përpiqet të ngarkojë ose ndajë fotot në platformat e tjera të Facebook-ut, duke përfshirë Instagram-in, ngarkimet ose postimet do të ndërpriten automatikisht dhe Facebook do të mund të çaktivizojë llogarinë e përdoruesit që ishte duke kryer këtë veprim.

Gjithashtu, kompania do t’u kujtojë përdoruesve të fshijnë fotografitë nga aplikacioni Messenger sapo programi “ Hash” të hyjë në punë.

Facebook njoftoi se është duke kërkuar bashkëpunime me partnerë shtesë të vende të tjera për të zgjeruar programin pilot, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

“Është e mrekullueshme se si ata po përpiqen ta zgjidhin këtë problem përpara se të marrë përmasa më të mëdha”,  tha Juliett.

Aktualisht, viktimat e pornografisë hakmarrëse mund të raportojnë vetëm fotot që tashmë gjenden në platformën e mediave sociale.

Eksperienca personale e Juliett e nxiti atë të formonte organizatën e saj të quajtur “Marshi kundër hakmarrjes pornografike”, për të siguruar burime për viktimat dhe rritur ndërgjegjësimin ndaj kësaj çështjeje.

“Gjëja më me vend që mund të them është edhe nëse dikush shfrytëzon trupin tuaj, ai nuk mund të marrë dot fuqinë tënde për të ngritur zërin “, tha ajo, duke shtuar se viktimat e hakmarrjes  pornografike duhet të ngrenë zërin dhe të kërkojnë ndihmë.

“Për sa kohë që jeni në gjendje të përdorni zërin tuaj do të jeni në gjendje të mbroni veten tuaj”, shtoi ajo. /ATA/

    Data: 15 Nentor 2017 05:49
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera