Kthehu lart

Çfarë vjen pas anulimit të takimit SHBA - Kore e Veriut?

Çfarë vjen pas anulimit të takimit SHBA - Kore e Veriut? GazetaExpress

Zëvendës ministri i jashtëm i Koresë së Veriut, Kim Kye Gwan tha të premten se vendi i tij është i hapur për të diskutuar me Shtetet e Bashkuara, megjithëse presidenti Donald Trump e anuloi takimin e qershorit me udhëheqësin koreano-verior, Kim Jong Un.

 Zoti Trump e quajti sot në mëngjes lajm të mirë deklaratën “e ngrohtë dhe produktive” nga Koreja e Veriut. Ai tha në Twitter se shpreson që ky qëndrim të sjellë si rezultat begati dhe paqe, por shtoi se vetëm koha do ta tregojë. Ai kishte thënë se e anuloi takimin për shkak të retorikës së ashpër dhe armiqësore nga Pheniani.

Në një deklaratë të publikuar nga agjencia koreano-veriore e lajmeve, zëvendës ministri i jashtëm Kim tha se Pheniani është i hapur për zgjidhjen e problemeve me Shtetet e Bashkuara në çdo kohë dhe me çdo mënyrë.

Ai tha gjithashtu se Koreja e Veriut i vlerësonte lart përpjekjet e Presidentit Trump që ai tha se ishin të pashembullta nga çdo president për të realizuar një takim historik mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.

Zoti Trump shprehu keqardhje që takimi nuk do të zhvillohet dhe tha se shpreson që të mbahet në një rast tjetër në të ardhmen.

"Të gjithë koreanët në veri dhe në jug, e meritojnë të jetojnë së bashku në harmoni, mirëqenie dhe paqe. Kjo e ardhme e shkëlqyer dhe e bukur mund të realizohet vetëm kur të eliminohet kërcënimi i armëve bërthamore", tha zoti Trump.
Njoftimi i zotit Trump erdhi disa orë pasi Koreja e Veriut çmontoi objektin e provave bërthamore në një shprehje të vullnetit të mire. Disa analistë e kritikojnë anulimin në një moment të tillë.

"Gazetarët ndërkombëtarë ishin të pranishëm për çmontimin dhe anulimi vetëm disa orë më pas, është e pakëndshme për Kim Jong Unin", thotë Melissa Hanham.
Pheniani ka liruar gjithashtu tre pengje amerikane gjatë një vizite të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo. Por Koreja e Veriut reagoi ashpër ndaj asaj që udhëheqësit e saj e konsideruan një krahasim me Libinë e cila hoqi dorë nga programi i saj i dobët bërthamor në vitin 2003. Ndryshe nga Libia, Koreja e Veriut ka armë bërthamore.
Disa analistë thonë se Shtëpia e Bardhë e përdori zemërimin e Koresë së Veriut, si justifikim për të hequr dorë nga takimi i nivelit të lartë.

"Sipas mendimit tim, nënpresidenti (Mike Pence) dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, John Bolton, kishin përgatitur terrenin këto dy javë për mundësinë e anulimit të takimit. Dhe e bënë këtë duke thënë gjëra të tilla si ‘ne presim që koreano-veriorët të bëjnë të njëjtën gjë si Moammar Gadhafi në Libi, pra të heqë dorë nga programi bërthamor”, thotë James McKeon, i Qendrës për Kontrollin e Armëve dhe mos-përhapje bërthamore.

Analistët në përgjithësi janë në një mendje se Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut kanë këndvështrime të ndryshme për asgjësimin e armëve bërthamore dhe se bisedimet e ardhshme të mundshme për këtë temë, kanë nevojë për përgatitje të detajuara dhe pa bujë.

    Data: 25 Maj 2018 18:03
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera