Kthehu lart

Bekim Jashari kthehet nga Austria, merr përkrahje për mbështetje të ndryshme

Bekim Jashari kthehet nga Austria, merr përkrahje për mbështetje të ndryshme GazetaExpress

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari është kthyer nga Austria ku ka zhvilluar disa takime, nga të cilat edhe ka marrë përkrahje dhe mbështetje për investime. Jashari gjatë qëndrimit disa ditorë ka takuar kryetarin e Salzburgut,Harald Preuner, si dhe kryetarin e Sattledtit, Gerhard Hubert. Takime ka zhvilluar edhe me ambasadorin e Shqipërisë në Austri, Roland Bimo, dhe ambasadorin e Kosovës, Sami Ukelli.

“Një takim i frytshëm me kryetarin e Salzburgut, Dipl.Ing. Harald Preuner, si dhe kryetarin e Sattledtit, Ing. Gerhard Hubert. Gjatë këtij takimi biseduam për shumë çështje të interesit të përbashkët, shkëmbimin e përvojave si dhe krijimin e bashkëpunimit në lëmin ekonomik.  Po ashtu, u trajtuan mundësitë e bashkëpunimit dhe mbështetja në projekte të ndryshme”, ka shkruar Jashari në Facebook.

 Ai ka treguar se përvojat e menaxhimit të qyteteve të Austrisë janë rrugë e mirë në përmirësimin e kushteve zhvillimore të qyteteve tona.

“I falënderova për mikpritjen dhe gatishmërinë e bashkëpunimit, përkrahjen që ata i kanë dhënë Kosovës dhe vazhdojnë ta japin.  I ftova që ta vizitojnë qytetin tonë dhe mirëpresim këtë bashkëpunim”.

I pari i komunë se Skenderajt ka njoftuar po ashtu se ka zhvilluar një takimi me ambasadorin e Shqipërisë në Austri, Roland Bimo, dhe ambasadorin e Kosovës, Sami Ukelli, i vlerësoj si takime shumë të sinqerta dhe të veçanta.

“Gjithmonë ndjenjë e veçantë kur takon ambasadorët tanë në Evropë, ashtu ishte edhe takimi me ambasadorin e Shqipërisë në Austri, Roland Bimo dhe ambasadorin e Kosovës, Sami Ukelli. Më ambasadorët në takime të ndara, biseduam për integrimin e shqiptarëve në institucionet austriake dhe lidhjen e tyre me atdheun”.

 Jashari ka thënë se kanë diskutuar për të arriturat e vëllezërve tanë atje si dhe me sfidat me të cilat ballafaqohen mërgimtarët tanë.


    Data: 13 Shkurt 2018 19:12
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera