Kthehu lart

Babai i Aulonit të vrarë: Vajza që ma vrau djalin u dënua pak, nuk e lë me kaq

Babai i Aulonit të vrarë: Vajza që ma vrau djalin u dënua pak, nuk e lë me kaq GazetaExpress

Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë ditës së sotme ka shpallur fajtorë tre të miturit për vrasjen e të riut Aulon Zeka. I mituri i parë është dënuar me 9 vjet e 6 muaj burg, e mitura e dytë me 3 vjet masë edukative, ndërsa ndaj të tretit është shqiptuar masa e mbikëqyrjes nga organet e kujdestarisë për 1 vjet e gjashtë muaj

Lidhur me këtë dënim, babai i Aulonit të ndjerë, Afrim Zeka, ka thënë për Express se do të ankohet ndaj vendimit të Gjykatës. Ai thotë se nuk pajtohet me dënimin që i është dhënë vajzës së mitur si pjesëmarrëse për kryerjen e veprës penale për vrasjen e Aulonit. Ndonëse, babai i Aulonit, deklaron se dënimi për vrasësin është maksimal në bazë të ligjeve të Kosovës.

“Me dënimin e vrasësit po dihet që është maksimumi me ligj të Kosovës, ndërsa sa i përket vajzës do të ankohem që ta marrë maksimumin, sepse nuk është vendim i drejtë e këtë e di edhe Gjykata”, thotë babai i Aulonit.

Ai shprehet se e mitura gjatë seancave gjyqësore rreth vrasjes së Aulonit vazhdimisht i ka ndërruar deklaratat.

“Gjatë hetimeve dhe seancave gjyqësore gjithnjë i ka ndërruar deklaratat dhe nuk dëshiron që ta thotë të vërtetën dhe qysh në takimin e parë ditën e vrasjes ka mundur ta parandalojë edhe në restorant ku punoja ka mundur të më tregojë se vrasësi ka ble armë pikërisht për Aulonin dhe të ndërmarrë diçka por nuk e beri dhe ka shumë gjana tjera e cila i fsheh rregullisht e këto ishte dashur gjykata ti marr parasysh e jo vetëm ta dënoj në ndihme pas kryerjes se vrasjes që do të thotë se ato tjerat gjëra para vrasjes nuk u morën parasysh fare, kjo është e gjitha çka kam për të thëne”, ka thënë për Express, babi i të ndjerit Aulon Zeka.

E ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë ditës së sotme për kryesin e veprës penale të vrasjes së Aulonit, nëntë vite e gjashtë muaj, e mitura 3 vjet si dhe personi i tretë që po ngarkohet për moslajmërim të kësaj vepre penale, u dënua me një vit e gjashtë muaj.

Aulon Zeka u vra më 16 shtator 2017 në Prishtinë. Seancat e këtij gjykimi kanë qenë të mbyllura, ndërsa gati sa herë ato janë zhvilluar, te Pallati i Drejtësisë ka pasur protesta për ndriçimin e vrasjes së Zekës. /GazetaExpress/

    Data: 16 Prill 2018 12:00
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera