Kthehu lart

Ambasadori amerikan në Moskë, optimist për përmirësimin e raporteve SHBA-Rusi

Ambasadori amerikan në Moskë, optimist për përmirësimin e raporteve SHBA-Rusi GazetaExpress

Ambasadori amerikan në Rusi, John Tefft, disa javë para se të largohet nga kjo detyrë tha se ka vlerësime të përziera për gjendjen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, por shpreson të ketë përparim.

Në një intervistë në Moskë për Zërin e Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë/ Radio Liria, zoti Tefft shprehu keqardhje për mungesën e përparimit në drejtim të zgjidhjes së konfliktit në Ukrainë, çështje që shkaktoi keqësimin e marrëdhënieve SHBA-Rusi në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë:

“Më vjen keq që nuk u shënua më shumë përparim në zgjidhjen e problemit të Ukrainës. Sepse mendoj se ajo është një nga çështjet thelbësore që duhet të trakjtohet”, tha zoti Tefft , që u rikthye nga pensioni për t’u bërë ambasador kur marrëdhëniet u përkeqësuan rëndë.”

Ambasadori amerikan tha se i vjen keq për vuajtjet e familjeve në konfliktin që shpërtheu kur Rusia aneksoi Krimenë dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për separatistët në Ukrainën Lindore.

Kriza në Ukrainë u shkaktua kur Kremlini reagoi ndaj lëvizjes popullore, pro-evropiane kundër Presidentit pro-rus Viktor Yanukovych në mars 2014, duke dërguar forca speciale ruse për të marrë kontrollin e bazave ushtarake ukrainase në Krime. Konflikti që pasoi ka shkaktuar vdekjen e mbi 10 mijë vetëve.

“Përdorimi i forcës në një vend tjetër sovran, shkeli rregullat themelore të politikës evropiane. Bashkimi Evropian dhe përpjekja për të ndërtuar një Evropë të bashkuar, të lirë dhe në paqe që ka qenë objektivi i Bashkimit Evropian dhe i disa presidentëve amerikanë, morën një goditje të rëndë kur Rusia dërgoi forcat ushtarake në Krime”, tha zoti Tefft.

“Evropianët të gjithë kanë probleme aty ku territore të ndryshme në vende të ndryshme, dikur u takonin vendeve të tjera. Por politika evropiane ka qenë se nuk mund të përdorësh forcën si mënyrë për të rimarrë ato territore”.

Kremlini reagoi ndaj sankioneve perëndimore me kundër-sanksione ndaj artikujve ushqimorë perëndimorë. Çështja e sanksioneve është ndërlikuar gjithashtu lidhur me akuzat për përgjime ndaj Rusisë dhe përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016, përmes depërtimit kibernetik.

Ambasadori Tefft tha se Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson e përshkroi më së miri marrëdhënien mes dy vendeve, në takimin me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov në prill në Moskë:

“Ai ishte shumë i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Ai tha se marrëdhëniet janë në një nivel shumë të ulët. Besimi i ndërsjellë nuk ekziston. Duhet të punojmë për përmirësimin e tyre. Ka disa shanse për një gjë të tillë, por duhet të punojmë intensivisht për to. Por që atëherë kemi pasur disa probleme të tjera”, vuri në dukje ambasadori.

Në përplasjen e fundit, Shtetet e Bashkuara mbyllën konsullatën ruse në San Francisco dhe dy zyra ruse në Uashington dhe Nju Jork pasi Kremlini urdhëroi ambasadën amerikane të reduktojë stafin e saj me 755 vetë.

“Tani kemi rifilluar funksionimin në Moskë. Jo vetëm që po japim viza, por po rrisim numrin e intervistave. Nuk është në interesin tonë që të mos lejojmë qytetarët rusë të shkojnë në Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Tefft.

Por me gjithë tensionet, ka disa fusha ku bashkëpunimi ka qenë pozitiv, si për shembull përsa i takon Sirisë megjithëse ai kufizohet pasi Moska mbështet presidentin Bashar al-Assad kundër rebelëve sirianë, disa prej të cilëve mbështeten nga Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa të gjitha palët pretendojnë se po luftojnë kundër Shtetit Islamik, Rusia ndihmoi forcat e Assadit që ta ndryshojnë drejtimin e fitores nga rebelët tek Damasku.

Që nga veprimet e Rusisë në Ukrainë, ndjenjat anti-amerikane të amplifikuara nga media shtetërore e kontrolluar nga Kremlini, janë intensifikuar në Rusi, gjë që përbën një sfidë ndaj marrëdhënieve njerëzore.

Rusët kanë shprehur zhgënjim ndaj presidentit Donald Trump, për mospërmbushje të pritshmërisë së tyre për përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, siç kishte thënë gjatë fushatës.

Hetimet për lidhjet e Rusisë me zgjedhjet e 2016-s dhe zyrtarët e fushatës së zotit Trump, kanë bërë që çdo hap që presidenti mund të hedhë drejt përmirësimit të marrëdhënieve me Kremlinin, të shihet me vëmendje.

Ambasadori Tefft thotë se përfundimi i konfliktit të Ukrainës, do të ishte kyç për përmirësimin e marrëdhënieve.

“Pra, sfida është të ecim përpara, tha zoti Tefft. Jam shumë i lumtur që do të kemi një ambasador shumë të mirë që më pason mua. Jon Huntsman ka një përvojë të jashtëzakonshme. Ai ka qenë kandidat për president. Por ka qenë gjithashtu edhe ambasador në dy vende, një prej të cilëve Kina. Mendoj se vendimi i Presidentit Trump për ta sjellë këtu, është një shenjë jashtëzakonisht e mirë”. /VoA

    Data: 13 Shtator 2017 20:14
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera