Kthehu lart

AKR akuzon LDK'në për shkelje të marrëveshjes

AKR akuzon LDK'në për shkelje të marrëveshjes GazetaExpress

Fatmir Matoshi, kryetar i Kuvendit të AKR’së, ka thënë se LDK’ja e ka shkelur marrëveshjen që kanë lidhur së bashku para zgjedhjeve të 11 qershorit.

Në Interaktiv të KTV’së ai ka numëruar së paku tri pika ku ata besojnë se LDK’ja ka vepruar njëanshëm e duke shkelur kësisoj marrëveshjen e shkruar mes dy partive.

“Edhe në mbledhjen e Kuvendit të AKR’së janë numëruar disa nga shkeljet që ka bërë LDK’ja karshi AKR’së. Së pari, e kemi parë zotin Abdullah Hoti të jetë paraqitur si shef i Grupit Parlamentar të LAA-së dhe askush në AKR nuk është pyetur e as nuk është konsultuar për këtë vendim”, ka thënë ai.

“Së dyti, LDK’ja dhe AKR’ja e kanë nënshkruar një marrëveshje në të cilën thuhet se të dy partitë do të bashkëpunojnë ngushtë në zgjedhjet lokale. Ne po shohim se LDK’ja njëanshëm ka nominuar kandidatët për kryetar të komunave pa folur nëse do të shkojmë si koalicion në këtë zgjedhje”, ka thënë ai më tej.

Vërejtja e tretë, sipas Matoshit është ajo e propozimit të mundshëm të LAA’së për nënkryetar të Kuvendit.

“Kemi parë një vendim të tretë që Kujtim Shala të jetë nënkryetar i Kuvendit, prapë pa u konsultuar fare me AKR’në”, ka thënë Matoshi.

“Kjo e ka bërë qëndrimin e AKR’së në këtë koalicion si të pa qëndrueshëm dhe të panevojshëm”, ka thënë më tej Matoshi, duke shtuar se megjithatë ky nuk ka qenë thelbi kryesor i asaj që Kuvendi i AKR’së ka bërë thirrje presidentit të partisë, Behgjet Pacolli, që të gjejë zgjidhje edhe jashtë LAA’së.

    Data: 21 Gusht 2017 23:44
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera