Kthehu lart

Zgjedhja e kryeprokurorit me “pakt”, Rama i kthen përgjigje Bashës: Rifilloi avazi!

Zgjedhja e kryeprokurorit me “pakt”, Rama i kthen përgjigje Bashës: Rifilloi avazi! GazetaExpress

Zgjedhja e kryeprokurorit të ardhshëm të vendit duket se do të vijojë të mbetet një çështje e cila do të përplasë në ditët në vijim sërish maxhorancën dhe opozitën, teksa palët ndahen tek mënyra sesi duhet lexuar ligji dhe kushtetuta në lidhje me emrin dhe metodën me të cilën do të zgjidhet ai që do të drejtojë institucionin e akuzës në vend.

PS i referohet ligjit dhe dispozitave kalimtare që sanksionojnë se nëse KLP (Këshilli i Lartë i Prokurorisë) nuk është mbledhur atëherë i takon kuvendit të zgjedhë një kryeprokuror të përgjithshëm. Por PD e shikon krejt ndryshe çështjen. Ajo i qëndron strikt Kushtetutës, e cila sanksionon se kryeporkurorin e zgjedh vetëm KLP.

Këto dy qëndrime deri më tani nuk janë ndryshuar nga palët politike, teksa propozimit të Ramës për një pakt për kryeprokurorin, Basha i është përgjigjur duke i kërkuar Ramës që të çlirojnë reformën në drejtësi dhe të mbarojnë procedurat për KLP-në, duke i hapur kështu rrugën kryetarit të ri të organit të akuzës.

Por pas përgjigjes së Bashës për paktin e Ramës, kryeministri ka shkruar në rrjetin social, pak fjali që të kujtojnë klimën në të cilën ndodhej e gjithë skakiera politike, në kohën kur përpara tavolinës ishte reforma në drejtësi.

Rama shkruan se PD ka nisur avazin duke thënë se të gjithë e kanë gabim, përfshi këtu edhe SHBA-të dhe BE-në.

"Rifilloi avazi! Jo ne, po edhe SHBA/BE e kanë gabim! Dhe prapë s’duan as dialog kur u thua votat ne i kemi po duam zgjidhje të përbashkët."- shkruan Rama

Pak orë më parë në përgjigje të ofertës së Ramës Lulzim Basha rradhiti katër kushte, ndër të cilat më kryesorja ishte ajo e hapjes së rrugës për reformën në drejtësi në zgjidhjen e ngërçit që ka krijuar moskrijimi i një institucioni të rëndësishëm siç është ai i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ndryshe nga Rama, Basha ka folur për një pakt për Kushtetutën dhe shtetin ligjor.

“Ne mbështesim pa asnjë rezervë zhbllokimin e menjëhershëm të reformës në drejtësi dhe krijimin e KLP-së për t’i hapur rrugën krijimit të SPAK-ut dhe të Byrosë së Hetimit, si dhe zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm në mënyrë kushtetuese, pasi të ketë kaluar vettingun me tre të pestat e Kuvendit”, ka thënë Basha në përgjigje të ftesës së Ramës./Gazeta Express

    Data: 07 Dhjetor 2017 17:38
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera