Kthehu lart

Vila me drogë në Fier, biznesmeni i njohur shqiptar: Merrja 2 mijë € qira

Vila me drogë në Fier, biznesmeni i njohur shqiptar: Merrja 2 mijë € qira GazetaExpress E premte, 21 Prill 2017 20:37

Zbulimi i një laboratori droge në banesën e biznesmenit të njohur Piro Bare, ka detyruar këtë të fundit të paraqitet në policinë e Fierit dhe të japë deklarime rreth asaj që kishte ndodhur në ambientet e brendshme të vilës së tij.

Para grupit hetimor biznesmeni i gazit njëherësh dhe pronari i Portit të Hidrokarbureve në “Porto Romano” Durrës, ka pohuar se objektin ja kishte dhënë me qira shtetasit me inicialet E.F, tashmë i shpallur në kërkim nga policia e Fierit.

Bare ka sqaruar dhe bindur oficerët e policisë dhe prokurorisë se nuk ka pasur dijeni fare, së çfarë bënte në banesë E.F,pasi ai shumë rrallë shkonte në vilë, për shkak të angazhimeve që kishte në biznes. Më tej Bare ka shtuar se është ndjerë i mashtruar nga E.F, i cili në lidhjen e kontratës noteriale për marrjen me qira të vilës, pranonte se do e shfrytëzonte objektin për qëllime biznesi dhe zyra.

Por e kundërta ka ndodhur, pasi E.F, e ka kthyer vilën luksoze në një laborator të rregullt droge, për kultivimin e sasive të mëdha të kanabisit. Bare i ka vënë në dispozicion prokurorisë dhe policisë së Fierit një kopje të kontratës noteriale, e cila mban datën 13 shtator 2016 dhe ka një afat të përcaktuar një vjeçar, pra deri në 13 shtator 2017.

Në 8 muaj vila u kthye në laborator droge 

Por brenda 8 muaj qiramarrësi e ka kthyer vilën në një laborator të vërtetë droge. Po kështu në këtë kontratë është përcaktuar dhe qiraja mujore, e cila ka vlerën e 2000 euro në muaj.

Piro Bare, ka deklaruar gjithashtu se pagesat e qeras bëheshin nëpërmjet bankës dhe jo dorazi. Pritet që në vijim të hetimit, prokuroria do verifikojë dhe listëpagesat që ka bërë ose jo shtetasi E.F, në drejtim të llogarive të biznesmenit Piro Bare. 

Kultivuesit mbyllen në qeli

Dhjetë personat e arrestuar në ambientet e brendshme janë lënë në burg nga gjykata e Fierit, pasi ndaj tyre prokuroria shpalosi një sërë provash që i implikonte ata në kultivimin e bimëve narkotike në bashkëpunim. Njëri prej të arrestuarve Fisnik Gorani ka pranuar para gjykatës se ka qenë i dënuar me parë për të njëjtën akuzë.

Ai i tha gjykatës se në nëntor të 2011 ishte dënuar me 2 vjet burg, por pas daljes nga burgu është detyruar serish të merret me kultivim të drogës, për shkak të kushteve të vështira ekonomike. Ne arrest në burg në mungesë është lënë dhe organizatori dhe personi që ka ideuar këtë laborator droge, shtetasi me inicialet E.F.Sipas prokurorisë së Fierit në brendësi të laboratorit janë gjetur shtetasit Erald Buzi, Klajdo Borova, Florenco Çera, Hyqmet Borova, Fisnik Gorani, Rozana Borva, Pajtim Muka, Selvie Muka, të cilët janë kapur në flagrancë brenda kësaj banese, shkruan Shqiptarja.com.

Nga ana tjetër policia gjyqesore ka arrestuar në flagrancë edhe shtetasit Alesjo Hajdaraj me detyrë faturist që mbulon leximin e matësit të enërgjisë elktrike të zonës dhe Ylli Kostandini me detyrë shef i grupit teknik të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Fier.Këta shtetas janë përgjegjës për moskontrollin dhe mosraportimin në organet kopetente të faktit të humbjes së madhe të energjisë në këtë banesë, pasi brenda saj ndodheshin edhe dy transformatorë të energjisë elektrike.

Kushtet për një laborator model

Brenda vilës 3 katshe janë gjetur të kultivuara në 9 dhoma rreth 2784 bimë si narkotike “Canabis Sativa” në fazën e lulëzimit, lartësia e të cilave varionte nga 30 cm deri në 80 cm. Në këto dhoma ishte instaluar sistem ndriçimi, ventilimi, vaditje si dhe ishin të shtruara me një shtresë të trashë dheu dhe plehu ndërsa muret e dhomës ishin të veshura me mbulesë alumini.

Në dy dhoma të tjera janë gjetur rreth 2820 kubik me bimë të sapo mbira të dyshuara si bimë cannabis sativa. Personat e sipërtreguar janë gjetur duke u kujdesur për bimët. U konstatuan se në ambientet e banesës ishin vendosur për tu tharë 167 bimë të prera të cilat pas peshimit rezultuan se kishin një peshë totale prej 43.1 kg. Të gjitha ambientet e brendshme të banesës ishin të përshtatura për ti krijuar kushte optimale të rritjes normale të bimëve me një infrastrukturë të posaçme si ndriçim ventilim, ngrohje, izolim ujitje etje.

Të arrestuarit kanë deklaruar se kishin shkuar në këtë banesë për punë, të detyruar nga kushtet ekonomike dhe për punën që do të bënin e kishin mësuar kur kishin shkuar në banesë dhe ishin kontaktuar nga një person që nuk e njihnin rreth moshës 30-35 vjeç.

    Data: 21 Prill 2017 20:37
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera