Kthehu lart

Vettingu në Polici, Hodaj: Afati i vetëdeklarimit mbyllet në 5 Maj

Vettingu në Polici, Hodaj: Afati i vetëdeklarimit mbyllet në 5 Maj GazetaExpress

Nuk do të ketë shtyrje të procesit të Vettingut në polici.

 Zv/ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, u shpreh se 5 Maji do të jetë data përfundimtare e afatit 30 ditor për plotësimin e formularëve të vetëdeklarimit.

Julian Hodaj: “Brenda 30 ditëve të afatit ligjor që i bie data 5 Maj vetëdeklarimi duhet të dorëzohet. Të dhënat që kanë në dispozicion mbi të ardhurat, pasuritë e të tjerat, ata duhet t’i deklarojnë. Nuk mund të ketë shtyrje të afatit”.

I vetmi  problem për procesin e Vettingut, sipas numrit dy të ministrisë së Brendshme, është vërtetimi i të ardhurave që lëshohen nga bankat.

Julian Hodaj: “Problemi që jemi në dijeni dhe që jemi adresuar që javën e kaluar është vërtetimi i të ardhurave që lëshohen nga bankat. Ne kemi folur me bankat. Ka pasur një problem me bankat javën e kaluar që ka të bëjë me kostot e procesit”.

Në lidhje me deklaratën e dhënë për ABC News nga kreu i sindikatës së punonjësve të policisë, Sadedin Fishta se disa nene të ligjit cenojnë të drejtat e njeriut, zv/ministri Hodaj dha këtë përgjigje.

Julian Hodaj: “Në gjykimin tonë nuk ka asnjë pikë fërkimi dhe shkelje me Kushtetutën e Shqipërisë. Nëse kryetari i sindikatës, siç thoni ju, sepse nuk e njoh se nuk është bërë pjesë e konsultimeve, ndërkohë që janë bashkuar të gjithë. Besoj se sindikata duhet ta kishte shfrytëzuar për të dhënë opinioni e saj në momentin që duhej dhënë. Janë të lirë që të ndërmarrin të gjithë hapat që ata gjykojnë dhe që janë në tagrin e tyre, përfshirë dhe ta dërgojnë ligjin në Gjykatën Kushtetuese”.

Vettingu në polici nuk është gjueti shtrigash pohoi Hodaj.

Procesi i Vettingun në radhët e policisë do t’i japë mundësi edhe shumë efektivëve të liruar t’i nënshtrohen skanimit dhe nëse rezultojnë fitues, atëherë, mund të rikthehen në radhët e uniformave blu.

    Data: 17 Prill 2018 15:03
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera