Kthehu lart

Trafikanti i drogës qafë më qafë me ministrin Klosi, por Rama bën ironi me PD

Trafikanti i drogës qafë më qafë me ministrin Klosi, por Rama bën ironi me PD GazetaExpress

Kryeministri Edi Rama, nuk ka pasur një përgjigje shteruese për fotot që kreu i PD-së Lulzim Basha publikoi mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Opinion’, ku shfaqej ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi me trafikantin e drogës Durim Keçi.

Duke folur në Kuvend ditën e sotme, Rama jo vetëm që nuk mohoi ekzistencën e kësaj fotoje, por madje injoroi edhe denoncimin e opozitës.

Edi Rama zgjodhi foltoren e parlamentit për të kthyer përgjigje. Një përgjigje e shkurtër me të cilën e injoroi denoncimin e rëndë të kreut të PD.

“Kujt ia tregoni fotografitë. Shkoni te Dem Rreli dhe punoni part time aty dhe bëni fotografitë. Ka lezet Saliu që të paktën i bënte te Skënderbeu. S’ka zog kanarine që me këngën e vet që ua bën mendjen shqiptarëve aq sallatë sa të shkojnë pas jush”, tha ai.

Ishte Basha që mbrëmë hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke denoncuar se i arrestuari për trafik droge Durim Keçi dhe i dënuari në Itali kishte punuar për PS në zgjedhjet e vitit 2013 në Durrës dhe në ato të 2017 në Berat.

Në këto dy qarqe ka qenë drejtuesi i fushatës së PS-së Blendi Klosi, ku sipas opozitës ai është i lidhur drejtpërdrejt më këtë trafikant. 

/GazetaExpress/

    Data: 13 Tetor 2017 10:25
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera