Kthehu lart

Sot denoncoi vëllain e Ministrit për trafikun e drogës, kush është “dëshmitari X”

Sot denoncoi vëllain e Ministrit për trafikun e drogës, kush është “dëshmitari X” GazetaExpress

Ditën e djeshme opozita do të publikonte një përgjim audio të një “dëshmitari x” i cili bisedonte për afera droge me vëllain e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, por vetëm sot PD vendosi të publikojë një intervistë të dëshmitarit, që flet me zë e figurë se Agron Xhafaj vijon ende të kryejë trafik droge.

Albert Veliu quhet dëshmitari X, dhe pretendon se i ka kërkuar ndihmë Agron Xhafajt për të kaluar në Itali një sasi prej 100 kg hashash nëpërmjet ndihmës së vëllait të Ministrit të Brendshëm dhe një personi të tretë, me emrin Ermal.

Veliu në fakt nuk është një person i panjohur për drejtësinë shqiptare. Ashtu siç është shprehur ai vetë në videon e publikuar nga opozita, dikur ai ka kryer burg në Itali për trafik kokaine. Dëshmitari pretendon se punonte me grupin kriminal të Agron Xhafajt në atë kohë.

Por pas dënimit në Itali, në vitin 2013 Alber Veliu është ekstraduar në Shqipëri, pasi me kërkesë të Gjykatës së Vlorës, ai është dënuar me 3 vite burg për veprën e trafikut të mjeteve motorrike.

Për më tepër lexoni të plotë njoftimin e policisë, të kryer në verën e para 5 viteve.

Njoftimi i policisë, i datës 16 gusht 2013

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, më datën 14.08.2013, kreu ekstradimin nga Roma/Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Albert Eqerem Veliu, vjeç 46, lindur në Vlorë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr. 143, datë 05.05.2008, e ka dënuar me 3 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të trafikimit të mjeteve motorike, parashikuar nga neni 141/a/1 i Kodit Penal.

Më datë 19.01.2006 policia rrugore ka bllokuar mjetin tip Volskëagen Golf, me targa JD15805. Pas hetimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi Albert Veliu, duke falsifikuar lejen e qarkullimit të automjetit të mësipërm, e ka futur atë në Shqipëri dhe ia ka shitur shtetasit Erion H.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, ky shtetas është arrestuar në Itali, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Në aeroportin Nënë Tereza në Rinas ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve./Gazeta Expess

    Data: 17 Maj 2018 15:41
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera