Kthehu lart

Shkarkimet në polici, reagon Rama: Janë vetëm fillimi...

Shkarkimet në polici, reagon Rama: Janë vetëm fillimi... GazetaExpress

​Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar në lidhje me shkarkimet në radhët e drejtuesve të policisë në Përmet dhe Këlcyrë në lidhje me masakrën mjedisore që po bëhej pikërisht në Këlcyrë për një ndërtim privat.

Rama ka paralajmëruar se këto janë vetëm fillimi i asaj çfarë do të ndodhë në radhët e policisë, ku ligji do të veprojë njësojë për të gjithë.

"Shkarkimet ne polici per krimin mbi Vjose duhet te jene vetem fillimi dhe duhet te behen norme per çdo krim mjedisor. Policia që Duam", shkruan Rama.

Njoftimi per shkakrimet ne polici

Shefi i Policisë së Komisariatit Përmet, Kryekomisar Gazment Shehu dhe dy vartës të tij janë shkarkuar nga detyra, pasi nuk kanë raportuar tek autoritetet një ndërtim pa leje në në Grykën e Këlcyrës, në lumin Vjosë.

Ministria e Brendshme thotë në një njoftim se pas analizë për këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur disa masa për punonjësit e Policisë, të cilët janë evidentuar me përgjegjësi administrative dhe penale.

Për shkeljet dhe mangësitë e konstatuara u morën këto masa:

-U shkarkua nga detyra Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet, Kryekomisar Gazment Shehu;

-U shkarkua nga detyra Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë, Nënkomisar Edmond Anxhara;

-U përjashtua nga Policia e Shtetit Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës;

-U dha ‘Vërejtje me paralajmërim’, për Zëvendësdrejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues Koço Dafa;

-U dha ‘Vërejtje’, për Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Drejtues i Parë Lorenc Panganika.

Ndërkohë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme pas veprimeve hetimore, referoi materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Përmet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, në bazë të nenit 248 të Kodit Penal për punonjësit e Policisë:

-Kryekomisar Gazment Shehu, Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet;
-Nënkomisar Edmond Anxhara, Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë;
-Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës.

Ndërkohë në reagim të kësaj problematike ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, përmes një letre dërguar drejtuesve të Policisë së Shtetit, dënon ashpër mos reagimin e strukturave përgjegjëse në kohën e konstatimit të punimeve, duke nënvizuar nevojën për kontrollin e territorit dhe tërheq vëmendjen e strukturave vendore të policisë lidhur me përgjegjësinë ligjore që ato kanë për parandalimin, evidentimin dhë ndëshkimin e shkeljeve të ligjit, të cilat lidhen me ndërtimin në territor, si dhe me ruajtjen e mjedisit.
/Oranews.tv/

/Gazeta Express/


    Data: 13 Tetor 2017 13:40
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera