Kthehu lart

PS thyen paktin me Bashën

PS thyen paktin me Bashën Klement Zguri GazetaExpress

Partia Socialiste ka kërkuar këtë të djelë shkarkimin e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri.

Vënia e tij në këtë post erdhi si pasojë e marrëveshjes që kryeministri Edi Rama dhe lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha bënë në maj, që çoi dhe në futjen e opozitës në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017. Zguri u propozua nga të djathtët si emri që do të garantonte një proces zgjedhor që sipas tyre cënohej nga mazhoranca, por që edhe më pas rezultoi të kishte shit-blerje votash.

Por përse kërkohet ky shkarkim?

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka bërë të ditur se janë nisur procedurat nga kjo parti, me një kërkesë për shkarkimin e Zgurit. E gjitha nisi pasi PS kërkonte shkarkimin e kryebashkiakut të Mallakastrës Agron Kapllanaj, me argumentin se është i dënuar në Itali për vjedhje. Por ky rast është shqyrtuar edhe nga prokuroria e përgjithshme nga struktura e ngritur për ligjin e dekriminalizimit, e cila faktoi se rasti i zotit Kapllanaj nuk përbën element të ligjit të dekriminalizimit.

E megjithatë, në këtë linjë, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e rrëzoi kërkesën e socialistëve për shkarkimin e kryebashkiakut të djathtë.

REAGIMI I TAULANT BALLËS

Asnjë funksionar publik që shkel ligjin nuk mund të vazhdojë më të qëndrojë në atë detyrë. Është detyrimi i Kuvendit të Shqipërisë që menjëherë të fillojë procedurat për shkarkimin e zotit Klement Zguri nga detyra e Kryetarit të KQZ, për shkelje të rëndë të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Gjatë këtyre ditëve mbarë opinioni publik është njohur me faktin se edhe pse Prokuroria dhe Gjykata italiane i kanë konfirmuar Prokurorisë shqiptare dhe KQZ dënimin me dy vite burg “për vjedhje”...” të Agron Faslli Kapllanaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, i zgjedhur me mbështetjen e Partisë Demokratike dhe për pasojë “përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar nga neni nenin 2, pika 1, gërma c) të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Mbarë opinioni publik u njoh edhe me faktin se Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri me paramendim vendosi të fshehë dhe të arkivojë pa e shqyrtuar në KQZ vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për subjektin deklarues Agron Faslli Kapllanajn.

Jemi në kushtet kur është mëse e qartë se Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Klement Zguri ka kryer shkelje të rënda të ligjit dhe përmes veprimeve e mosveprimeve të tij i shtyu sa mundi jetën politike një të zgjedhuri lokal me rekorde të rënda kriminale, vetëm e vetëm sepse është i të njëjtit krah politik me të dhe i ndikuar nga urdhërat politike. Shembull konkret dhe i patolerueshëm i njëanshmërisë së verbër politike dhe mungesës së profesionalizmit.

Vlerësimi individual që Klement Zguri i ka bërë çështjes në fjalë nga pozita e drejtuesit të KQZ është shkelje e hapur e ligjit nga ana e tij. Duhej të ishte Komisioni si organ kolegjial dhe jo Kryetari si individ struktura që duhej të shqyrtonte (maksimalisht brenda 10 ditëve, sipas ligjit) në mbledhje publike rezultatet e vendimit të Prokurorisë.

Vendimi individual i Klement Zguri, për të mos e thirrur mbledhjen e KQZ dhe për ta arkivuar vendimin e Sektorit të Verifikimit të Integritetit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, i cili pranon literalisht se subjekti deklarues Agron Faslli Kapllanaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, i zgjedhur me mbështetjen e Partisë Demokratike “përfshihet në fushën e ndalimit të parashikuar nga neni nenin 2, pika 1, gërma c) të ligjit 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” është marrje e kompetencës kolegjiale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe në kundërshtim flagrant me nenin 5, pika 4, gërma “a”; nenin 10; nenin 15, pikat 3 e 4 të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe Kreun III, pikat 12, 13, e 14 të Vendimit nr.17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në Ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike””

/Gazeta Express

    Data: 12 Nentor 2017 12:31
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera