Kthehu lart

Pronari i gjymtuar i servisit të celularëve arrestohet në spital, i zbulohet "laboratori"

Pronari i gjymtuar i servisit të celularëve arrestohet në spital, i zbulohet "laboratori" GazetaExpress

Gentian Hoxha mbeti dje i plagosur nga një shpërthim i fuqishëm që ndodhi brenda dyqanit të tij të celularëve.

Ai punonte i vetëm në tryezën e punës, kur rreth orës 10:40 në dyqan ndodhi një shpërthim i fuqishëm që e la atë të plagosur rëndë. Dyqani ndodhet në rrugën  " Qamil Guranjaku "dhe të parët që ndërhynë në vendngjarje, ishin banorët e zonës të cilët u tronditën nga ky shpërthim, i njëjtë si nga një lëndë eksplozive. Dy qytetarë janë futur brenda ambienteve të dyqanit, dhe prej aty kanë nxjerrë Gentian Hoxhën. Me këmbën dhe gishtërinjtë e duarve të gjymtuar, dhe i gjakosur në Tiranë. Nuk mund të ishte kurrsesi një shpërthim nga ndonjë reaksion kimik në bateritë e celularëve. Dhe gjithë skema mori drejtim kur ekspertët gjetën në vendngjarje mbetje lënde plasëse në tryezën e punës. Dyshimet e para të grupit hetimor, janë se Gentian Hoxha po prodhonte lëndë plasëse. Për këto dyshime, 34-vjeçari është arrestuar nga policia e Tiranës. Vënia e tij në pranga u bë në Spitalin e Traumës, aty ku ai po merr trajtim intensiv për plagët e shumta të marra nga shpërthimi. Gentian Hoxha ruhet në spital nga 4 oficerë policie.

Policia tha zyrtarisht se “nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se në dyqan dyshohet se po prodhonte një lëndë plasëse me fitila detonati, kapsolle në një celular ku dhe ka shpërthyer”

Ai do të hetohet nga prokuroria e Tiranës për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit"

Pavarësisht dëmeve të mëdha materiale që shkaktoi ky shpërthim, policia ka mundur të gjejë prova materiale që e përfshijnë pronarin e dyqanit në veprimtari kriminale. Brenda dyqanit janë gjetur 2 kapsolla përcjellëse, pluhur tritoli, disa tela që përdoren për montimin e minave,  3 detonatorë minash dhe një mikroskop.

Grupi hetimor nga provat dhe dëshmitë e mbledhura, ka dyshime të forta se Gentian Hoxha merrte porosi për prodhimin e minave me celularë, veprimtari kriminale që ai e kamuflonte përmes biznesit të tij me servisin e celularëve, ku punonte i vetëm. 2 mijë euro mendohet të jetë fatura që ai merrte për prodhimin e një mine, shpërthimi i së cilës bëhej i komanduar me celular. Fokusi i policisë, nëse këto dyshime faktohet deri në fund, është të gjejë porositësit, dhe të zbulojë se në cilat ngjarje kriminale janë përdorur këto mina. /Gazeta Express

    Data: 13 Mars 2018 10:09
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera