Kthehu lart

Pas Haki Çakos, pritet tjetër furtunë në Policinë e Shtetit

Pas Haki Çakos, pritet tjetër furtunë në Policinë e Shtetit GazetaExpress

Shkarkimi i Haki Çakos nuk është i vetmi.

Të tjera lëvizje në rang drejtuesisht të lartë pritet të bëhen me emërimin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj, i ftuar në “kapital”, shpjegoi pse largimi i Çakos nga detyra ishte kaq i vonë, duke ju referuar faktit që gjatë mandatit të parë, Xhafaj largoi nga detyra të gjithë drejtuesit e policisë në qarqe. Sipas tij, duhej bërë një analizë më e detajuar e punës, dhe nga kjo u pa se policia kishte nevojë për më shumë dinamizëm në prioritetet e caktuara, siç është lufta kundër krimit dhe kanabisit.

Pas shkarkimit të Haki Cakos me propozim të ministrit dhe miratuar nga Këshilli i Ministrave, në këtë detyrë u komandua zv.drejtori Rebani Jaupi, ndërsa tashmë  kanë nisur aplikimet për të fituar gradën “Drejtues i Parë”, në mënyrë që t’i hapet rrugë zgjedhjes së kreut të Policisë së Shtetit.

Pjesë nga intervista

Aleksandër Furxhi: Ka disa dosje për të cilat qytetarë presin rezultate konkrete.

Ministri Xhafaj:  Viti 2017 renditet ndër më të mirët në vitet e fundit, për disa çështje, si: lufta kundër kultivimit të kanabisit, të dhënat e krimeve kundër pronës dhe jetës, etj. Natyrisht dhe unë personalisht, në funksionin e Ministrit të Brendshëm, jam i ndërgjegjshëm që mbetet akoma shumë për të bërë, si: lufta ndaj grupeve kriminale, korrupsioni i zyrtarëve të shtetit, përforcimi   i rezultateve pozitive në luftën antikanabis me synim heqjen përfundimtare të Shqipërisë nga lista e vendeve kultivuese, dhe parandalim i krimit në moshat e reja.

Aleksandër Furxhi: Z.ministër, si e shpjegoni ju faktin që drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako qëndroi në detyrë kur segmente jo të parëndësishme të Policisë së Shtetit ishin njollosur me hashashin etj?

Ministri Xhafaj: Së pari unë nuk shkova në Policinë e Shtetit për të zëvendësuar një drejtor me një tjetër – siç ndodhi në pjesën e parë të mandatit tim që, sipas meje, ishte një lëvizje e drejtë dhe minimale për atë kohë. Me nisjen e mandatit të ri duhet të kisha një analizë më të plotë, për të kuptuar problematikat dhe zgjidhjet e nevojshme sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Aleksandër Furxhi: Në media flitej për përplasje mes Ramës dhe Xhafaj.

Ministri Xhafaj: Nuk besoj të ketë pasur diçka të tillë. Por kur kam dërguar propozimin për shkarkimin e Çakos, qeveria e miratoi. Në këto momente, për shkak të disa prioriteteve kemi nevojë për më shumë dinamizëm, kjo është një nga arsyet e kësaj lëvizjeje në radhët e drejtuesve të Policisë së Shtetit. Në momentin e përshtatshëm, drejtori i ri që do të vijë do të vlerësojë nevojën e lëvizjeve të reja.

/Gazeta Express

    Data: 19 Janar 2018 22:33
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera