Kthehu lart

Nënkryetari i LSI tallet me programin e Ramës: Më falni por kjo ishte një metaforë e injorancës

Nënkryetari i LSI tallet me programin e Ramës: Më falni por kjo ishte një metaforë e injorancës GazetaExpress

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim është tallur me njërin ndër kapitujt e programit të qeverisë Rama2, ku sipas tij është shpalosur qartë injoranca e atyre që nga sot do të drejtojnë Shqipërinë për 4 vitet e ardhshme.

Luan Rama shkruan se në kapitullin për shetin ligjor dhe drejtësinë e re, në programin e socialistëve nuk bëhet dot dallimi midis shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës. Shtet ligjor ishte ai i Zogut, 6 muajtë e qeverisë së Nolit gjithashtu ishin shtet ligjor, por edhe qeveria e Enver Hoxhës, shkruan Luan Rama, i cili saktëson se Bashkimi Europian kërkon një shtet të së drejtës në Shqipëri.

Luan Rama gjithashtu ironizon shprehjen drejtësia e re, duke e krahasuar me “drejtësinë” që solli Enver Hoxha dhe “drejtësia popullore”. Pikërisht për nocionin e “drejtësisë së re” të shkruar në programin qeverisës, Luan Rama shprehet se është pastërtisht, një metaforë e injorancës së atyre që e kanë shkruar.

Për më tepër lexoni statusin.

BE kërkon shtetin e së drejtës, Qeveria premton shtetin ligjor! Çfarë injorance!

"Shteti ligjor dhe drejtësia e re!

Kështu emërtohet një prej kapitujve të programit të qeverisë! Më falni, po shprehje më alarmante të injorancës nuk mund të ketë! Të flasësh sot pas 27 vitesh demokraci pluraliste per shtet ligjor, do të thotë të mos kesh kuptuar e të mos kesh marrë vesh asgjë për kushtin e parë të tërë procesit të integrimit europian dhe që është shteti i së drejtës!

Shteti ligjor dhe shteti i së drejtës janë dy koncepte që bëjnë diferencën mes shtetit demokratik nga sistemet e tjerë të organizimit shtetëror.

Diferencat janë thelbësore. Më ndjeni për tonet didaktike, por ka dallime esenciale dhe përmbajtësore mes shtetit të së drejtës në kuptimin euroatlantik, të cilit une po i referohem dhe shtetit ligjor për të cilin flet programi i qeverisë! 

Sepse shtet ligjor ka qenë edhe shteti që ndërtoi Zogu, shtet ligjor ishte Shqipëria edhe në ato 6 muajt e qeverisjes se Nolit, shtet ligjor ishte edhe në kohën e fashizmit, edhe gjatë komunizmit, shtet ligjor ka qënë edhe Shqipëria postkomuniste, por nuk ka qenë e për fat të keq nuk është as sot shtet i së drejtës! 

Edhe ju në sloganin tuaj zoti Kryeministër ju flisni vetëm për shtetndërtim, e jo për shtet të së drejtës! 

Ju na flisni për mirëqeverisje, po mirëqeverisje pa idealin e shtetit të së drejtës nuk ka e nuk mund të ketë!

Por le të ecim më tej me thagmat e programit tuaj. Bashkë me shtetin ligjor në vend të shtetit të së drejtës, ju na servirni edhe togjalëshin "drejtësi e re"! 

Eshtë një togfjalësh i huazuar mbi 70 vjet më parë, në kohën kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re. Në vitin 1946, pas shpalljes së Republikës Popullore të Shqipërisë, në vigjilje të gjyqit kundër deputetëve e më pas, mori qytetari koncepti "drejtësia e re popullore". 

Nuk ka drejtësi të vjetër e as drejtësi të re. Qysh prej Justinianit e deri në ditët tona, drejtësia ka qenë e ka mbetur drejtësi. 

Ndoshta dikush mund të thotë se në programin e qeverisë "drejtësia e re" është një metaforë! Pa dashur t'ju marr kohë e t'ju shpegoj çfarë është metafora, në kontekstin që është përdorur në programin e qeverisë togfjalëshi "drejtësi e re" është metaforë injorance!

Dikush tjetër mund të thotë që lidhet me reformën në drejtësi e me vetingun! Edhe në këtë kontekst, sado që programi i qeverisë për reformën në drejtësi ka vetëm fjali të përgjithshme per demagogji, "drejtësia e re" është ajo që thashë: metaforë e injorancës!/Gazeta Express

    Data: 13 Shtator 2017 18:40
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera