Kthehu lart

Xhaçka – ushtarakëve të Poshnjes: Vlerësim sipas meritës dhe trajtim më dinjitoz

Xhaçka – ushtarakëve të Poshnjes: Vlerësim sipas meritës dhe trajtim më dinjitoz GazetaExpress

Vlerësim dhe promovim në bazë të meritokracisë dhe trajtim përherë e më tepër dinjitoz për ushtarakët shqiptarë, ishte mesazhi kryesor që ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, u dha efektivëve të Batalionit III të Këmbësorisë (b3k) në Poshnje, gjatë qëndrimit të saj në Berat, në kuadër të mbledhjes së qeverisë në këtë qark.

Në vizitën e saj në b3k, ministrja Xhaçka shoqërohej nga zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi dhe komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Nazmi Cahani.

Fillimisht ministrja Xhaçka falënderoi të gjithë efektivët e këtij batalioni për angazhimin dhe kontributin e tyre në përmbytjet e fundit, sidomos tani që Emergjencat Civile janë nën përgjegjësinë e institucionit që ajo drejton. 

“Dua të ndalem pak tek Emergjencat Civile që tashmë janë fushë përgjegjësie e Ministrisë së Mbrojtjes, sepse e kam parë kontributin, dedikimin, përkushtimin, profesionalizmin e gjithsecilit prej jush në ato operacione shumë të vështira në fillim të dhjetorit, kryesisht në zonën e Fierit dhe të Vlorës, por edhe këtu në Berat me punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjithsecili prej jush për t’i ardhur në ndihmë atyre banorëve që vuanin pasojat e motit të keq” - tha ministrja Xhaçka, e cila u shpreh se ishte në dijeni të vështirësive dhe nevojave të ushtarakëve dhe për të cilat shprehu angazhimin e saj për një trajtim më dinjitoz për secilin prej tyre.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura iu bashkuan nismës së Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit “Ditët e Pemëve”, duke mbjellë pemë në oborrin e Shkollës së Mesme të Bashkuar “Shyqyri Lakra” në Berat dhe në mjediset e b3k në Poshnje.

    Data: 25 Shkurt 2018 12:19
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera