Kthehu lart

Meta i akordon titullin “Për merita të veçanta civile”, ish- senatorit francez, Michel Berson

Meta i akordon titullin “Për merita të veçanta civile”, ish- senatorit francez, Michel Berson GazetaExpress

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i akordoi në një ceremoni të veçantë, ish-Senatorit dhe ish-deputetit francez, Michel Berson, Titullin e lartë “Për merita të veçanta civile”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak, deputetë dhe personalitete nga politika dhe diplomacia.

Presidenti Meta vlerësoi rolin e madh të zotit Berson për rikrijimin e Grupit të Miqësisë Francë-Shqipëri, në vitin 1986, në Asamblenë Kombëtare të Francës.

Duke iu referuar kontributit mbi 30 vjeçar të Senatorit Berson, në krye të Grupeve të Miqësisë Francë-Shqipëri në Asamblenë Kombëtare dhe Senatin francez, Presidenti Meta, vlerësoi rolin që ai ka luajtur për forcimin e miqësisë midis dy vendeve.

“Franca dhe në veçanti Senatori Berson kanë dhënë një ndihmesë të madhe dhe një mbështetje shumë të vyer në këtë drejtim. Falë kësaj ndihme dhe mbështetje sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe pret, me padurim legjitim, çeljen e negociatave. Marrëdhëniet tona me Francën janë të shkëlqyera dhe të një natyre shumë të veçantë”, - theksoi Presidenti i Republikës.

Presidenti Meta theksoi në fjalën e tij se Senatori Berson ka qenë një kontribuues aktiv i ndryshimeve të mëdha epokale që kanë ndodhur në Shqipëri në këto 30 vjet dhe jo thjesht një dëshmitar i tyre.

Michel Berson iu akordua titulli “për merita të veçanta civile” me motivacionin: “Në vlerësim të mbështetjes së vyer në procesin e demokratizimit të Shqipërisë dhe institucioneve të saj, integrimit të vendit tonë në NATO dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Me mirënjohje të veçantë për kontributin e jashtëzakonshëm në promovimin e marrëdhënieve ndërmjet parlamenteve të të dy vendeve; konsolidimit e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionalisht miqësore mes Shqipërisë dhe Francës dhe mes popujve tanë.”

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në ceremoninë e dekorimit 

Të nderuar Ministrat, Bushati dhe Kumbaro
Të nderuar ish-Kryetarët e Kuvendit, znj, Topalli, z. Dokle dhe z. Gjinushi
Të nderuar ish-ministra të Punëve të jashtme, 
E nderuar Ambasadore Vasak,
Shumë i dashur Senator Berson,
Zonja e zotërinj deputetë,
Të nderuar të pranishëm,
Vizita e Senatorit francez, zoti Mishel Berson, këtij miku të shquar të Shqipërisë e shqiptarëve në Tiranë përkon edhe me një ngjarje të rëndësishme për të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe të rajonit tonë. 
Komisioni Evropian pritet t’i rekomandojë sot Vendeve Anëtare çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Kjo ngjarje është shumë e mirëpritur nga shqiptarët dhe konfirmim inkurajues për integrimin e Shqipërisë në Bashkimit Evropian.
Senatori Berson, 30 vite më parë mbërriti në Tiranë, në janarin e vitit 1988, për të qenë sot dëshmitar i ndryshimeve të mëdha të Shqipërisë, veçanërisht në procesin e saj të hapjes me botën. 
Franca dhe në veçanti Senatori Berson kanë dhënë një ndihmesë të madhe dhe një mbështetje shumë të vyer në këtë drejtim. 
Falë kësaj ndihme dhe mbështetje sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe pret, me padurim çeljen e negociatave me BE-në për anëtarësim.
Marrëdhëniet tona me Francën janë të shkëlqyera dhe të një natyre shumë të veçantë. 
Lidhjet e forta e tradicionale kulturore e arsimor u japin jetë dhe sot këtyre raporteve dhe i kanë forcuar edhe më shumë marrëdhëniet midis dy vendeve e popujve tanë. 
Franca ka qenë e mbetet një partner shumë i rëndësishëm për ne dhe ka dhënë një mbështetje të pakursyer për konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Por roli i Francës mbetet thelbësor edhe në kuadër të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor. 


Duke përfituar nga prania e Senatorit Berson, dëshiroj që ta shfrytëzoj këtë moment për të shprehur mirënjohjen personale dhe institucionale, për rolin që ka luajtur dhe kontributin e vyer e të jashtëzakonshëm që ai ka dhënë, ndër vite, për demokratizimin e Shqipërisë dhe të institucioneve të saj. 
Prej 30 vitesh, Senatori Berson ka kontribuar për forcimin e miqësisë midis Francës dhe Shqipërisë pa u lodhur. 
Në vitin e largët 1986, ai ndërmori nismën për të rikrijuar Grupin e Miqësisë Francë-Shqipëri në Asamblenë Kombëtare të Francës, e për ta vazhduar këtë veprimtari në krye të Grupit për më shumë se 30 vite si në Asamblenë Kombëtare ashtu edhe më pas në Senatin francez.
Si Kryetar i Grupeve të Miqësisë Francë-Shqipëri, ai ka qenë një zë i fuqishëm si në Asamblenë Kombëtare ashtu edhe në Senat, për forcimin e miqësisë midis dy vendeve dhe promovimin e marrëdhënieve ndër-parlamentare.
Ai është kontribues aktiv i ndryshimeve të mëdha epokale që kanë ndodhur në Shqipëri në këto 30 vjet dhe jo thjesht një dëshmitar i tyre. 
Dua të evidentoj gjithashtu në mënyrë të veçantë pjesëmarrjen e tij në ngjarjen e madhe të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në vitin 2012, si dhe kontributin e madh për zbatimin me sukses të projektit të bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Senatit e Asamblesë Kombëtare të Francës, gjatë viteve 2011-2013.
Për të gjitha këto arsye, por jo vetëm, dëshiroj që sot t’i akordoj Senatorit Berson Titullin e lartë “Për Merita të Veçanta Civile”. 
Gjithashtu, dua të përfitoj nga rasti të përshëndes anëtarët e familjes së Senatorit Berson, që janë sot këtu me të dhe me ne: zonjën Danièle Berson, e cila ka ndarë me të miqësinë për Shqipërinë; si dhe dy mbesat e tij Léa dhe Emma, që vizitojnë për herë të parë Shqipërinë e që jam i sigurt se do të marrin së shpejti stafetën e “miqësisë për Shqipërinë” nga gjyshi i tyre.
Vetëm me një ndryshim, se nuk jemi në vitin 1988, por jemi në vtin 2018, që shpresojmë të jetë edhe një vit i mbarë për perspektivën evropiane të Shqipërisë, për të cilën aq shumë ka kontribuar dhe vazhdon të kontribojë Senatori Berson. Mirënjohja jonë për Senatorin është e pafund. 
Faleminderit!

    Data: 17 Prill 2018 14:25
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera