Kthehu lart

Mësohet emri që do të vihet në krye të Shërbimit Sekret Ushtarak

Mësohet emri që do të vihet në krye të Shërbimit Sekret Ushtarak GazetaExpress E martë, 14 Nentor 2017 20:04

Shqipëria ka dy shërbime inteligjente, shërbimin informativ shtetëror SHISH dhe agjencinë e inteligjencës dhe të sigurisë së mbrojtjes AISM, apo siç njihet ndryshe ish-shërbimi informativ ushtarak.

Deri sot të dy këto shërbime kanë qenë pa drejtues. Helidon Bendo, i propozuar prej mëse dy javësh në krye të SHISH-it nga Kryeministri Edi Rama pas dorëheqjes së Visho Ajazi Likës, nuk është dekretuar ende nga Presidenti Ilir Meta, kurse Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes qëndroi prej dy muajsh pa drejtues, pas emërimit dhe dekretimit të Bardhyl Kollçakut si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Burime për Top Channel pohojnë se ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka firmosur urdhërin që emrëron në krye të inteligjencës së ushtrisë kolonel Bardhyl Nuredinaj, i cili më parë ka qenë komandant në Qendrën e Personel Rekrutimit të Forcave të armatosura.

Kolonel Nuredinaj i merr zyrtarisht funksionet e kreut të AISM-së ditën e mërkurë, më 15 nëntor, mesa duket edhe pas dakordësimit me aleatët. Me ndryshimin e ligjit në vitin 2014 shefi i AISM-së nuk emërohet dhe as shkarkohet më me dekret të presidentit, por ky atribut i takon vetëm ministrit të mbrojtjes, ndërkohë që e paqartë është se çdo të ndodhë me SHISH-in.

Të hënën, dy javë pasi dha dorëheqjen pa asnjë shpjegim publik, Visho Ajazi Lika u propozua nga kryeministri Rama për ambasador të Shqipërisë në NATO. Emri i tij do të shqyrtohet nga kreu i shtetit për të dytën herë brenda një periudhe të shkurtër, pas shkarkimit nga drejtimi i SHISH-it, këtë herë për emërimin si ambasador në Aleancën e Atlantikut të Veriut, një post kyç dhe delikat ky edhe përsa u takon marrëdhënieve me aleatët e NATO-s.

    Data: 14 Nentor 2017 20:04
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera