Kthehu lart

“Marrëzia” e lojërave të fatit vazhdon edhe në Durrës, komuniteti i shqetësuar

“Marrëzia” e lojërave të fatit vazhdon edhe në Durrës, komuniteti i shqetësuar GazetaExpress

Moria e pikave të lojërave të fatit dhe basteve sportive kudo nëpër qytet, po dhe fare pranë shkollave është kthyer në shqetësim edhe për komunitetin në Durrës.

Në një nga kryqëzimet fare pranë qendrës së qytetit të Durrësit, në lagjen nr.4. Dy shkollat 9-vjeçare që ndodhen në dy anët e kryqëzimit të “Danubit”, kanë vetëm pak metra larg tyre një pikë lojërash fati dhe një bastesh sportive.

“Na shqetësojnë dhe kemi hall se do të na mësohen fëmijët. Është problem i madh ai. Pak kanë problem të tjera të mësojnë dhe këtë. S’dimë ç’të bëjmë dhe ne. Bastet duhet t’i shikojnë të tjerët”, thotë një prind.

“Kanë më shumë prirje të marrin veset e këqija. Ndikon te brezi I ri”, shprehet një tjetër.

Aksioni “Fundi i marrëzisë” që u mbështet gjerësisht 5 vite të shkuara në qytetin bregdetar, nuk i dha fund pranisë së pikave që nxisin vesin e kumarit pranë qendrave të banuara. Ne qytet vesi dhe varësia ndaj kumarit kanë shkatërruar mjaft familje

“Po ndahen nga familja, nga gruaja, nga fëmijët. Marrin rrogën e çojnë aty. I marrin lekë prindërve e shkojnë aty. Bastet në qytet duhet të eliminohen menjëherë. Çfarë duhen ato?! Vetëm për të degjeneruar rininë, për të lënë familjet bosh e ndahen çiftet. Turp i madh. Nuk i shërben qytetarëve. Vetëm për të zhvatur. Të bëjnë një gjë tjetër ata, jo këtë. Kazinotë të zhduken. Të mos ketë. Në ka nga ata që duan të luajnë, që kanë para, kryeministrat e të tjerë t’i ndërtojnë andej nga duhet. Jo në mes të qytetit. Shumë keq. Gënjehen fëmijët. Mashtrojnë prindërit: Jam në shkollë dhe dalin me ato dy lekë që u japin prindërit për të ngrënë e i lenë aty… Nuk jam dakord. Ata që e nisën atë punë duhet ta çonin deri në fund”, shprehen disa banorë të Durrësit.

Vetëm në qytetin e Durrësit ndodhen zyrtarisht rreth 130 pika bastesh sportive, 4 kazino dhe 2 bingo, por numri i tyre në realitet është më i madh, ndërsa efektet negative të tyre në jetët e familjeve durrsake ende të pamatshme./t.ch

    Data: 17 Prill 2018 12:54
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera