Kthehu lart

Kredia bankare, në stanjacionpër individët dhe biznesin

Kredia bankare, në stanjacionpër individët dhe biznesin GazetaExpress

​Standardet e kredisë bankare për individë rezultuan të pandryshuara në tremujorin e fundit të vitit 2017, ve në dukje Banka e Shqipërisë në raportin më të fundit mbi aktivitetin kreditor në vend gjatë tremujorit të katërt të vitit të kaluar.

Sipas BSH, standardet u raportuan të kenë mbetur të njëjta sikurse në tremujorin e tretë, si për kredinë për blerje banese, ashtu edhe për kredinë për konsum. Por, për tremujorin e parë të vitit 2018, bankat presin që standardet e kredisë për individë të shfaqen edhe më të shtrënguara në të dy segmentet e saj. Gjendja financiare e individëve, situata në tregun e pasurive të paluajtshme, si edhe kreditë me probleme, kanë vepruar në kahun shtrëngues edhe për këtë tremujor.Bankat raportojnë rritje të kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e katërt të vitit 2017, në përputhje me pritjet e tremujorit të kaluar. Zgjerimi i kërkesës për kredi nga individët është mbështetur si nga kërkesa për kredi hipotekare, ashtu edhe nga kërkesa për kredi konsumatore. Ndërkohë, kërkesa në total e individëve për kredi pritet të shfaqet në rënie në tremujorin e ardhshëm.

Rritja e kërkesës së individëve për kredi në tremujorin e katërt të vitit 2017 është mbështetur kryesisht nga rritja e nevojës për financimin e konsumit dhe për financimin e blerjes së banesave, nga kushtet e kreditimit, si edhe nga pakësimi i përdorimit të burimeve alternative. Ekspertët e bankave raportojnë se zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme e kanë ndikuar negativisht kërkesën për kredi të individëve.
Sa u përket bizneseve, edhe këtu standardet e kredisë në tremujorin e katërt kanë mbetur të njëjta si një tremujor më parë. Standardet e kreditimit nuk kanë ndryshuar si për ndërmarrjet e mëdha, ashtu edhe për ato të mesme e të vogla. Gjithashtu, në tremujorin e parë të vitit 2018, bankat presin që standardet e kreditimit të shtrëngohen, si në segmentin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë së bizneseve, standardet mbeten të ngjashme me tremujorin e mëparshëm, si për kreditë për kapital qarkullues, ashtu edhe për investime. Në tremujorin e ardhshëm pritet që standardet të shtrëngohen për të dyja këto kategori.
Faktorët me ndikim shtrëngues në standardet e kredisë për biznese, gjatë tremujorit të katërt, ishin problemet specifike të sektorit ku vepron biznesi, kreditë me probleme, perceptimi i bankave mbi situatën makroekonomike, si edhe mjaftueshmëria e kapitalit.
Standardet e kreditimit janë shtrënguar nëpërmjet rritjes së kërkesave për kolateral, uljes së madhësisë së kredisë, si edhe marzheve më të larta për kreditë me rrezik.
Kërkesa për kredi shfaqet lehtësisht në rritje në tremujorin e katërt të vitit 2017, e mbështetur nga segmenti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërkohë që për ndërmarrjet e mëdha ajo ka rezultuar në rënie. Sipas qëllimit të përdorimit, këtë tremujor bizneset kanë shfaqur kërkesë më të lartë si për kredinë për kapital qarkullues, ashtu edhe për kredinë për investime. Në tremujorin e parë të vitit 2018, bankat presin që kërkesa për kredi të qëndrojë përgjithësisht e pandryshuar.
Bankat raportojnë se kërkesa për kredi nga ana e bizneseve është mbështetur nga nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe investimeve, si dhe nga kushtet e kreditimit. Faktorët e tjerë nuk kanë shfaqur ndryshim nga një tremujor më parë, duke mos ndikuar në kërkesën për kredi.

Në tremujorin e parë të vitit 2018, bankat presin një ngadalësim të aktivitetit kreditues, si për lekun ashtu edhe për valutën. Për tremujorin e ardhshëm, pritet që normat e interesit të kredisë të qëndrojnë përgjithësisht të pandryshuara, si në lekë ashtu edhe në valutë./shqiptarja.com

    Data: 20 Janar 2018 07:47
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera