Kthehu lart

Koha kur Saranda "pushtohej" nga trupat britanike

Koha kur Saranda "pushtohej" nga trupat britanike GazetaExpress E mërkurë, 15 Nentor 2017 07:55

Britanikët pushtuan Sarandën në tetor 1944 duke dhënë një shpresë se zbarkimi i tyre do të vijonte në shumë zona të tjera të vendit.

Por sapo pushtuan Sarandën, duke siguruar më pas Kanalin e Korfuzit dhe vetë ishullin e Korfuzit, britanikët u tërhoqën shpejt nga brigjet shqiptare. Ky operacion i suksesshëm nuk u prit mirë nga Enver Hoxha, i cili u kërkoi britanikëve që të tërhiqen nga Saranda, me argumentin se trupat partizane mund të kontrollonin qytetin.

Po në tetor 1944, britanikët zbarkuan me trupa të shumtë në Greqi dhe ardhja e tyre në Shqipëri krijoi një alarm te komunistët shqiptarë. Por, vetëm pak ditë pasi ata morën Sarandën, britanikët u detyruan të tërhiqeshin edhe për shkak se arritën objektivin e tyre ushtarak. Britanikët tërhoqën anijet nga Saranda dhe mbajtën vetëm kontrollin e Kanalit të Korfuzit. Por pushtimi i Sarandës u propagandua mjaft fort prej britanikëve. Ajo u pasqyrua në kronikat e kohës, u dha në BBC, në radion e Barit, si dhe u pasqyrua gjerësisht në gazetën “Mundimi”, që britanikët shpërndanin në Shqipëri.

Saranda ishte një pikë strategjike për britanikët për kontrollin e Kanalit të Korfuzit, për shkak se ishulli ishte ende në duart e gjermanëve. Gjithashtu, Saranda shërbente si një pikë kyçe e tërheqjes së trupave gjermane nga Greqia përmes rrugës së bregut. Marrja e portit dhe prerja e kësaj rruge ishte një sukses ushtarak me të cilin britanikët i dhanë fund zbarkimit të tyre në Shqipëri.


Gjithsesi, tërheqja e trupave britanike nga Saranda nuk u shoqërua asnjëherë me një arsye bindëse. Ndonëse ata ishin të fokusuar në marrjen e ishullit të Korfuzit, lënia e Portit të Sarandës u argumentua vetëm me arritjen e objektivit ushtarak. Dokumentet e sotme në gazetën “Panorama” pasqyrojnë të dhënat e zbarkimit të britanikëve në plazhet e Sarandës dhe luftimet në qytet. Këto raportime u bënë nga zyra ushtarake, të cilat iu dërguan radios BBC dhe Ushtrisë amerikane.


Po ashtu, pasqyrohet edhe lajmi i plotë në gazetën “Mundimi” në gjuhën shqipe, e cila i dha jehonë të madhe bashkëpunimit mes forcave partizane dhe britanike në betejën e Sarandës. Britanikët siguruan portin dhe mbyllën një rrugë të rëndësishme për tërheqjen e gjermanëve, si dhe kapën rob më shumë se 700 forca gjermane.

Panorama

    Data: 15 Nentor 2017 07:55
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera