Kthehu lart

Kodheli: Kreu i opozitës pati tre poste qeverisëse, realizoi tre krime

Kodheli: Kreu i opozitës pati tre poste qeverisëse, realizoi tre krime GazetaExpress E mërkurë, 17 Maj 2017 14:54

Kryesuesja e listës së Partisë Socialiste për qarkun e Kukësit, Mimi Kodheli e shoqëruar nga kandidati për deputet, Safet Gjici dha mesazhe të qarta për opozitën në vend, e cila po vijon me refuzimin e dialogut për të nxjerrë vendin nga kriza politike.

Gjatë takimit me banorët e fshatit Bardhoc, Kodheli vuri në dukje se kjo zonë është lënë pas dore për vite me radhë. “Shumëkush ka pretenduar, se duke qenë nga këto treva ishte pranë tyre, ishte për zhvillimin e tyre, mbështetjen e tyre në një kohë që mbështetja ishte thjeshtë klanore, abuzive, ishte thjeshtë e pa meritë dhe nuk ishte mbështetje që i gjithë qarku dhe i gjithë populli kishte nevojë”, tha Kodheli.

Përsa  i përket ndërtimit të rrugës së Kombit, Kodheli theksoi se për ta ndërtuar këtë rrugë, u mor një kredi me interesa nga më të lartat. “Nuk e di kush nga ju do të merte një kredi me 15 apo 17% interes në shtëpitë tuaja. Shteti e ka marrë kredi për të ndërtuar një rrugë dhe të gjitha interesat i paguajmë po ne. Problemi është që, meqë rruga u ndërtua pa projekt fillestar, sepse projekti u bë rrugës, duke bërë ndonjë metër e duke bërë projektin ju keni ngelur pa mbikalim, shumë e thjeshtë, sepse kështu është kur bëhen pa projekt rrugët. Prandaj duhet të vinte dikush tjetër, unë me Safetin në këtë rast, që ta premtojmë mbikalimin, që mund të jetë premtuar disa herë, po mbase ka ardhur rasti që një grua ta premtojë mbikalimin dhe ta mbajë fjalën si burrë”,  tha Kodheli.

Në vijim të fjalës së saj Kodheli i kërkoi elektoratit që t’i japin edhe një shans qeverisë “Rama” për të çuar deri në fund reformat që ka nisur. Duke u ndalur tek bojkoti i zgjedhjeve nga PD-ja, Kodheli renditi disa nga arsyet se përse kreu aktual i opozitës nuk duhet të qeverisë vendin. “Unë nuk besoj se shpresën e jep ky djali i ri që xhiron bosh aty te plastmasi, kur me vota të vjedhura ka qeverisur Tiranën, absolutisht këtë e di si buka që ha përditë. Një herë ka pasur gisht në Rrugën e Kombit dhe i ka mbi kurriz nja 250 milion euro dhe unë që kam qenë bankiere dikur, mendohem mirë kur e them këtë shifër. Ka qenë 5 ditë ministër i Jashtëm dhe ia fali çerekun e detit komshijve, ka qenë 10 ditë ditë ministër i Brendshëm dhe i ka vrarë katër burra me duar në xhepa në shesh. Zoti e ndihmoftë këtë djalin deri në fund të karrierës së vet politike, por ky nuk e meriton ta drejtojë Shqipërinë as sot as nesër”, tha Kodheli.

    Data: 17 Maj 2017 14:54
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera