Kthehu lart

"Gati lista me të korruptuarit dhe të inkriminuarit në Policinë e Shtetit"

"Gati lista me të korruptuarit dhe të inkriminuarit në Policinë e Shtetit" GazetaExpress

Vettingu në policinë e shtetit shqiptar është një proces që und të zgjasë dy vite, dhe pritet të pastrojë në radhët e uniformave blu, figurat e korruptuara dhe të inkriminuara.

Ministri i Punëve të Brendshme Fatmir Xhafaj tha se shumë shpejt do të ketë rezultate, dhe se janë identifikuar të korruptuarit, përmes një analize të plotë që i është bërë këtij fenomeni, por edhe përmes sinjalizimeve nga publiku. I ftuar në emisionin “Kapital” ministri shpjegoi se di do të jetë ky proces që pritet të rikthejë besimin e publikut tek Policia. 

Pjese nga intervista

Aleksandër Furxhi: Një studim i fundit tregon se Shqipëria është një nga vendet e sigurta dhe kriminaliteti është i ulët. Ky është vlerësim për Policinë e Shtetit dhe punën tuaj. Por publiku është i ndjeshëm ndaj vrasjeve dhe krimeve të rënda, natyre njerëzore e mban mend një ngjarje kriminale më mirë. Zoti Ministër, a mund të bëni një koment për këtë?

Ministri Xhafaj: Në vlerësim tim dhe jo vetëm, në vlerësimin e opinionit publik, edhe në atë të organizmave ndërkombëtare që merren me këtë çështje, Shqipëria është një vend i sigurt. E sigurt në kuptimin e jetës, punës, e të bërit biznes. Natyrisht nuk është vend pa probleme. Por raporte të tilla lidhur me indeksin e krimit janë vlerësuese, megjithatë nuk janë të vetmet. Në të gjitha sondazhet, Policia e Shtetit në perceptimin qytetar konsiderohet një ndër agjencitë më të besueshme (më shumë se Gjykatat e Prokuroritë). Dhe këto nuk janë vlerësime të MB, por të Bashkimit Europian.

Ju përmendët ndjeshmërinë qytetare. Natyrisht edhe politika për interesa të ditës përmend një ngjarje negative më shumë. Por ka diferencë të madhe mes qasjes së politikës dhe qytetarëve. Për qytetarët nuk është çështje vetëm vrasja në vetvete, por jeta e përditshme. Lidhur me perceptimin e ndryshëm të politikës dhe të qytetarëve, po ju sjell një sondazh të publikuar të bërë në Elbasan, kryer me asistencën e OSBE. Sipas 78% të të intervistuarve në qendër të qytetit ka siguri ditën, ndërsa sipas 55% natën. 

Flitet për vrasjet. Por sipas statistikave 2017-a ka treguesit më të mirë të kriminalitetit të viteve të fundit. Në 27 vite është numri më i ulët i vrasjeve, i vjedhjeve me dhunë, apo numri i aksidenteve me pasojë vdekjen. Shifrat janë të ftohta. Mund të kisha dalë në fillim të Janarit e të thoja "Sukses!". Po dhe një vrasje e shoh si problem për mua.

Aleksandër Furxhi: Si lindi ideja e vetingut në radhë e policisë?

Ministri Xhafaj: Vetingu në Polici ka qenë një ide e formësuar që në kohën kur drejtoja Reformën në Drejtësi. Më pas vijoi njohja me problemet e brendshme të Policisë së Shtetit dhe nevoja për ta përforcuar si agjenci ligjzbatuese.

Aleksandër Furxhi: Nuk është dëgjuar më parë veting kaq i thellë në Policinë e Shtetit. Na shkruajnë në “Kapital” se po u bë seriozisht, nuk do mbetej këmbë njeriu në Policinë e Shtetit...

Ministri Xhafaj: Përtej historive të veçanta apo të mediatizuara për ‘x’ person apo grupe personash, në Policinë e Shtetit ka individë që përmbushin standarde integriteti. Ne i hymë një procesi të lidhur me pastrimin e radhëve të gjyqësorit nga elementë të inkriminuar e të korruptuar, pa aftësitë e nevojshme profesionale. E kur flasim për drejtësi penale janë të rëndësishme Prokuroritë dhe Gjykatat. Por pa Policinë, organ ekzekutiv, është e pamundur drejtësia.

Shumë shpejt do shohim rezultate konkrete. Të dhëna të shumta tregojnë se në radhët e Policisë së Shtetit ka edhe policë të korruptuar e po aq të paaftë apo që kanë përfituar një karrierë të padrejtë në raport me ligjin. Vetingu do kryhet në radhët e Policisë së Shtetit, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave – SHÇBA, si dhe Gardës.

Aleksandër Furxhi: Të korruptuarit i keni identifikuar, keni listë konkrete?

Ministri Xhafaj: Absolutisht. Kemi bërë një analizë të plotë të fenomenit. Kemi bërë analiza në vazhdimësi. Ka dhe sinjalizime nga publiku. Ne menduam të ndërmarrim një proces të tillë për të mbështetur pjesën e punonjësve të Policisë së Shtetit që përmbushin kriteret profesionale dhe për të pastruar Policinë nga ata që uk i përmbushin këto standarde
Vetingu në radhët e Policisë së Shtetit maksimumi mund të kapë një hark kohor të dy viteve. Në fazën e parë Vetingu do kryhet për 300 oficerë, drejtues të gradave më të larta. Ai do përfshijë verifikimin e korrupsionit (vërtetimi i pasurisë), të lidhjeve kriminale dhe aftësive profesionale. Nuk mund të jesh edhe polic, edhe të kesh pasuri të dukshme apo të padukshme që tejkalojnë disafish rrogën e policit.

Projekti do kalojë në Këshillin e Ministrave.

Dhe në fund të muajit mund të kalojë në Kuvend. Në formën e ligjit, absolutisht.

Aleksandër Furxhi: Rindërtimi i imazhit të Policisë së Shtetit është sfidë. Me ç'kemi dëgjuar, që ka elementë të korruptuar, ku e mbështesni ju besimin për të rindërtuar Policinë e Shtetit?

Ministri Xhafaj: Shpeshherë themi "Këta janë policët, drejtuesit, këta janë politikanët". Po këta nuk janë shqiptarët! Është shumë e rëndësishme të ndërtojmë një proces të tillë që të mos vlerësohet i korruptuari apo ai që nuk përmbush standardet.
Sa më mirë të bëhet ky proces, aq më shumë djem e vajza do jenë mundësinë të vijnë në organizatën e Policisë së Shtetit, aq më shumë do të vijnë prurje të reja. Çka do sjellë një agjenci më korrekte ligjzbatuese dhe në shërbim të qytetarit. Besoj se ky proces do ndihmojë shumë integritetin brenda Policisë së Shtetit, dhe do rrisë shumë besueshmërinë publike ndaj Policisë së Shtetit.

Në anën tjetër, ne jemi përfshirë në disa reforma në Policinë e Shtetit. Proces i rëndësishëm është ristrukturimi në Policinë Kriminale, dhe ai në Policitë Vendore. Synojmë më pak policë në zyra, e më shumë në terren. Çdo familje do dijë cili është punonjësi i policisë që përgjigjet për një territor dhe sigurinë e tij. Punonjësit e Policisë së Shtetit do jenë llogaridhënës për gjendjen e kriminalitetit në territor. Do jenë drejtuesit që do jenë përgjegjës. Sot kjo është një lloj qasjeje e aplikuar nga shumë vend europiane me shumë sukses.

Pra vetingu, ristrukturimi i Policisë së Shtetit dhe një qasje e re komunikimi e Policisë me qytetarin, shto këtu rezultate konkrete që do kemi në luftën kundër krimit, besojmë se do japin fryte.

Pyetje: Ka qarkulluar në media një raport i Shërbimit Informativ sipas të cilit 128 punonjës të policisë paskëshin qenë të lidhur me krimin e të tjera. Çfarë bëhet me të dhënat e këtij raporti? A është një raport me të cilin ju jeni marrë dhe e keni pasur parasysh raportin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Kështu qarkullon në shtyp.

Ministri Xhafaj:  Unë disponoj të gjitha raportet që Shërbimi Informativ Kombëtar ka hartuar dhe ka dërguar pranë meje si ministër që nga dita e parë që unë kam qenë ministër i Brendshëm. Për hir të së vërtetës gjatë periudhës që kam punuar me ish-drejtorin, z.Visho Ajazi kam patur një marrëdhënie shumë korrekte institucionale dhe kemi punuar ngushtësisht bashkë në përputhje me funksionet tona kushtetuese dhe ligjore, duke ndërtuar shpeshherë edhe operacione të përbashkëta, që besoj se kanë qenë të suksesshme ose që janë ende në proces. Natyrisht kemi patur dhe shkëmbim intensiv informacionesh për çështje që kanë të bëjnë edhe me problematika që mund të ketë pasur edhe brenda agjencive tona respektive.

Të njëjtën marrëdhënie kam pasur dhe kam ndërtuar edhe me zëvendësin e tij që është në detyrë, me z.Bendo, me të cilin jemi duke punuar ngushtësisht. Në vlerësimin tim është një person serioz, korrekt. Jemi duke punuar  ngushtësisht dhe me partnerët ndërkombëtarë për të bërë gjëra të mira në funksionet respektive.

Pyetje: Po raporti që ke?

Ministri Xhafaj: Ndërkohë më duhet të them që kam caktuar një grup pune që po studion të gjitha llojet e raporteve, që Shërbimi dhe jo vetëm Shërbimi Informativ, por dhe agjenci të tjera, përfshi dhe ato çfarë mund të kenë ardhur dhe nga qytetarë të ndryshëm, për t'i identifikuar, për t'i evidentuar dhe ato do të jenë pjesë e dosjeve të çdo punonjësi policie në procesin e Vettingut. Raste dukshëm që rezultojnë me prova bindëse për punonjës të caktuar policie, për implikime të tyre, unë nuk kam hezituar dhe nuk do të hezitojë asnjëherë për të ushtruar brenda kufijve të mi ligjor të gjithë presionin e nevojshëm, autoritetin e duhur për të reaguar përmes hetimit administrativ dhe hetimit penal. Mjafton t'ju kujtoj që gjatë kësaj periudhe të shkurtër është ndoshta numri më i madh i masave disiplinore të marra ndonjëherë në radhët e Policisë së Shtetit; dhe të çuara njëkohësisht në përgjegjësi penale.

/Gazeta Express

    Data: 19 Janar 2018 22:21
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera