Kthehu lart

Bomba e deputetit të LSI: Në Gjirokastër zjarrvënësit lirohen, kanë lidhje me PS

Bomba e deputetit të LSI: Në Gjirokastër zjarrvënësit lirohen, kanë lidhje me PS GazetaExpress E shtune, 12 Gusht 2017 20:22

Zjarret në qarkun e Gjirokastrës e konkretisht në zonën e Dropullit janë bërë një mollë sherri për politikën shqiptare.

Pas akuzave të Vangjel Dules se kryeministri Rama merr përsipër politika të mbrapshta me zjarret në zonën e Dropullit dhe Finiqit kundër minoritetit grek, një tjetër bombë ka ardhur, kësaj here nga LSI.

Deputeti Vangjel Tavo shprehet se zjarret në zonën e Dropullit kanë vënë në rrezik shumë banorë të zonës, por pavarësisht kësaj policia ka mundur të kapë zjarrvënësit. Problemi është se ata që kanë vënë zjarret janë liruar nga policia e shtetit pasi kanë lidhje me deputetët e maxhorancës, pra të socialistëve.

Vangjel Tavo shprehet gjithashtu se të luftosh me zjarret është heroike, por t’I ndezësh ato, ashtu siç po ndodh në Dropull, është një akt tradhëtie ndaj vendit.

STATUSI I VANGJEL TAVOS:

Mbështetje dhe solidarizim për të gjithë banorët e Dropullit të cilët kanë kaluar ditë të vështira dhe të rrezikshme për shkak të vatrave të zjarrit.

Mirënjohje për punën e vështirë të zjarrfikësve të bashkisë Gjirokastër, strukturave të bashkisë Dropull, forcave të armatosura dhe pilotëve që ndihmuan në shuarjen e zjarreve.

I bëj apel organeve shtetërore ligjzbatuese të marrin masa për ndalimin e personave të cilët po ndezin vatra zjarri në Dropull dhe vënien e tyre përpara drejtësisë.

Kam qenë gjatë të gjithë kohës i informuar dhe në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e pushtetit vendor, të gjithë së bashku të përqendruar në shuarjen sa më të shpejtë të vatrave të zjarrit që po rrezikojnë jetën e banorëve. Por tani më duhet të bëj një apel publik sepse po shohim që sapo shuhet një vatër zjarri ndizet një tjetër dhe kjo hedh dyshime për akte të qëllimshme të cilat duhet të ndalohen menjëherë dhe të dënohen.

Për më tepër jam i informuar që disa zjarrvënës nuk ndalohen për shkak të lidhjeve me deputetë të qarkut, dhe në rastet kur ndalohen nga policia e shtetit lërohen menjëherë përmes influencës së këtyre deputetëve të mazhorancës.

Të luftosh me zjarrin është një akt heroik, por të ndezësh vatra zjarri të reja e të rrezikosh shtëpitë dhe jetën e qytetarëve është akt tradhëtie ndaj vendit dhe komunitetit, ndaj i bëj apel organeve ligjzbatuese të ndalojnë e venë përpara drejtësisë cilindo që tenton të rrezikojë jetën, shtëpinë, tokat dhe pronat e çdo qytetari në Dropull dhe mbarë qarkun e Gjirokastrës./Gazeta Express

    Data: 12 Gusht 2017 20:22
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera