Kthehu lart

Bankat private të detyruara të raportojnë transfertat e parave shqiptare në parajsat fiskale

Bankat private të detyruara të raportojnë transfertat e parave shqiptare në parajsat fiskale GazetaExpress E premte, 21 Prill 2017 19:58

Bankat private do të raportojnë me detyrim çdo transfertë që kryhet nga Shqipëria drejt parajsave fiskale, apo vendeve të tjera që konsiderohen me risk të lartë për pastrim parash si Zvicra, Qipro apo republikat e Amerikës Latine.

Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore të re, e cila forcon ndjeshëm rregullat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.  

Aktualisht ligji i detyron bankat të raportojnë vetëm transfertat në hyrje nga vendet e rrezikuara. Por me rregulloren e re ato do të raportojnë edhe transfertat që nisen nga Shqipëria drejt parajsave fiskale, përmes të cilave grupe kriminale apo individë që kanë të ardhura të jashtëligjshme mund të tentojnë pastrimin e tyre.  

Por ky nuk është ndryshimi i vetëm. Një tjetër kërkesë shtesë është ajo për monitorimin e klientëve. Aktualish bankat e verifikojnë një klient vetëm në momentin e parë, kur ai paraqitet për të kryer veprimin e parë në bankë. 

Nëse nga verifikimi paraprak klienti nuk rezulton i dyshimtë, atëherë ai klasifikohet pa risk dhe nuk kontrollohet më në transaksionet që kryen më pas, shkruan top channel.  

Por me rregulloren e re bankat do të kenë detyrimin të monitrojnë në vazhdimësi veprimet dhe transaksionet e një klienti, edhe pse në momentin e parë ai është klasifikuar si pa risk. 

Në mesin e vitit 2015, Shqipëria doli nga lista e vendeve nën vëzhgim për pastrim parash. Por shumë shpejt, Moneyval, komiteti i ekspertëve që vlerëson masat kundër pastrimit të parave për llogari të Këshillit të Europës pritet të japë një vlerësim të ri. 

Ekspertët e këtij institucioni do të kalojnë në sitë të gjithë kuadrin ligjor dhe zbatimin e tij, një procedurë periodike që bëhet për çdo vend, për të dhënë një vendim të ri nëse Shqipëria do të qëndrojë në listën e vendeve pa risk apo do të hyjë tek vendet në vëzhgim. 

Pak javë më parë Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin për kontrollin e narkotikëve dhe pastrimit të parave për vitin 2016, në të cilin e ritkheu Shqipërinë në listën e zezë të vendeve me risk për pastrim parash, pas tre vitesh që e kishte hequr atë.

    Data: 21 Prill 2017 19:58
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera