Kthehu lart

Aleati ka kritika për PD-në: Nuk ecet më kështu, opozita s’mund të drejtohet nga një njeri

Aleati ka kritika për PD-në: Nuk ecet më kështu, opozita s’mund të drejtohet nga një njeri GazetaExpress E diel, 13 Gusht 2017 19:00

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, deputet nga listat e PD-së, Dashamir Shehi ka theksuar se opozita nuk duhet të drejtohet nga një person i vetëm.

Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Shehi shprehet se PD ka 20 vjet që ka vetëm një person. Sipas tij, pas vjeshtës nevojitet një reflektim i thellë. Sa i përket qeverisjes në katër vitet e ardhshme, Shehi thotë se çdo gjë do të jetë me e keqe. Sipas tij, njerëzit do e kuptojnë se Rama në katër vjet nuk bëri asnjë punë jo për shkak të aleatëve por të atij vetë.

Ditë më parë ju dhe aleatë të tjerë të Partisë Demokratike reaguat lidhur me mostërheqjen e ministrave teknikë nga qeveria e Edi Ramës. Nga PD pati një replikë që tregoi se teknikët do të qëndrojnë deri në shtator në poste. Si e shihni këtë?

Ne kemi bërë çfarë kemi mundur, i kemi qartësuar pozicionet tona. Unë kam kohë që i kam thënë, zoti Basha duhet t’i tërheq se tani nuk ka më kuptim që ata të rrinë. Zgjedhjet mbaruan, ndonjë hata e madhe nuk u bë me ata, ata nuk kanë ndonjë funksion tjetër. Ndaj gjykoj që ka ardhur dita që opozita të ketë duart e lira për të bërë opozitën reale, frontale. Nga kjo pikëpamje mendoj se ministrat teknikë ka kohë që duhet të kishin ikur, që tënesërmen e zgjedhjeve. Unë nuk jam dakord që ministrat teknikë të rrinë, këtë pozicion kam mbajtur dhe e kam bërë zyrtar. Kjo i bën një dëm të madh opozitës sepse përditë muhabetet bëhen për ministri. Ne na ngatërrojnë kot në një qeveri që ka qëndruar katër vjet aty.Nuk mund të merrmi me muhabetet e këtyre, nuk na leverdisë fare kjo punë. Edhe zoti Basha kështu gjykonte. Një muaj përpara na tha që do të përgatisin një raport dhe do të ikin. Kanë kaluar tre të hëna që nga ai takim deri më sot dhe mesa duket këto ministri do ti mbajnë deri në shtator. Unë nuk jam dakord, nuk më pëlqen. Nuk është ky halli më i madh që kemi si komb,kemi shumë të tjetra, por megjithatë kjo nuk është më një punë që i takon opozitës. Nëse ne jemi opozitë nuk kemi nevojë as për ministra, se u bëmë për tu qeshur, ne po bëjmë në një farë mënyre estradën e Edi Ramës. Ai nuk do t’ia di, ai nuk qeverisë më me qeveri por me popullin!Kështu që pse duhen këta ministra, çfarë bëjnë këto?! Kurrë gjë! Më e mira është që ata të ikin, ne ti kemi duart e lira dhe të vazhdojmë punën tonë opozitare, siç pretendojmë për të bërë. Unë gjykoj që nuk duhet të kemi ministra teknikë më, që të mesmen e zgjedhjeve, ky ka qenë- mendimi im dhe e kam thënë publikisht. Ata po të duan le ti mbajnë por mbajtja e ministrave nuk i vlen opozitës, i bën dëm.

Ju folët për opozitë frontale. Si mendoni, ku duhet të përqendrohet aksioni opozitar nisur nga shtatori e tutje?

Tek temat e mëdha që ka pasur, tek ndryshimet Kushtetuese,ndryshimet e ligjit zgjedhor, të sistemit zgjedhor. Ka ardhur dita për ta reformuar plotësisht shtetin shqiptar. Unë e kam thënë 10 vjet përpara këtë. Po ashtu, një përqendrim duhet edhe tek reforma territoriale, të cilën e bojkotoi PD-ja në mënyrë të gabuar. Korrupsioni në administratën publike duhet të jetë një tjetër temë. Kjo qeveri, ky kryeministër ka katër vjet dhe tani del e flet para popullit sikur ka qenë drejtues ndonjë tjetër. A ka qenëRama katër vjet në qeverisje?! Po, ka qenë! Tani duhet të përgjigjet për hajdutllëkun që ka ndodhur në këtë shtet. Ndërsa ai bën sikur nuk ka qenë ai kryeministër.

Kryeministri ka akuzuar drejtorët edhe për këto çështje…

Drejtori është një hyzmeqar i vogël. Këtu janë ministrat e Ramës, ai vetë si kryeministër, raca e këtij. Ai duhet të përgjigjet. Në vend të kësaj ai bën sikur nuk ka qenë kryeministër po ka qenë dikush tjetër. Kjo është një estradë dhe me këtë duhet të merret opozita. Nuk duhet të merret çdo gërmojnë dhe çdo zbulojnë ministrat teknikë. Këta nuk do të zbulojnë asgjë fare. Këta duhet të ikin, nuk bëjnë asnjë punë dhe nuk i vlejnë opozitës.

Si mendoni, Rama më mirë vetëm në qeverisje apo me aleatë? Si e parashikoni qeverisjen e vendit katër vitet e ardhshme?

Më mirë vetëm që ky njeri të mos ketë më justifikime për të gënjyer. Katër vjet thotë i kanë shkuar kot sepse paska patur aleat tjetrin, a thua se i mori me forcë të tjerët. Më mirë vetëm që ti dalëboja fare, ta kuptojnë të gjithë që ky vetëm, vetëm si diktator, si Enver Hoxha nuk ka për të qeverisur dhe nuk ka për të bërë asnjë edhe një gjë më mirë, përkundrazi, do e bëjë më keq sepse e keqja nuk i vjen as nga aleatët, as nga ndarja e pushteteve, qëështë në natyrën e demokracisë. Do ta zbulojnë të gjithë shqiptarët që e keqja e Shqipërisë i vjen vetëm nga ky (Rama) dhe nga asnjë tjetër. Të tjerët jo se janë engjëj, horra janë edhe ata por ky është krye e keqja e Shqipërisë.

Partia Demokratike kaloi një proces të brendshëm zgjedhore vetëm për kryetarin. Pati shumë debate, kontestime dhe akuza. Ju si mendoni, PD-ja pas zgjedhjeve të brendshme të 22 korrikut ka dalë më e bashkuar apo më e përçarë?

Është ende herët për të folur për këto probleme. Nga vjeshta e pas duhet një reflektim i madh për PDnë dhe për të gjithë opozitën, të bashkojë të gjithë faktorët që kanë vlerë. Kjo është e para. E dyta, ta kuptojë që opozita nuk drejtohet thjeshtë nga një person. Ky është një gabim i madh. Opozita duhet të drejtohet nga institucione opozitare. Edhe PD-ja vetë nuk mund të jetë parti që nuk ka as grup parlamentar, as kryesi partie, as këshill, as sekretar, as nënkryetar, asgjë. Ka 20 vjet që ka vetëm një person dhe pastaj numërimi fillon nga 1-shi mbaron tek 93-shi, 94…ka 90 vende bosh. Nuk vazhdon më kjo punë në këtë mënyrë. Partia do njerëz, do personalitete, do institucione që ta kontrollojnë edhe kryetarin dhe kryetari të jetë dikush i pari mes të barabartëve. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me Bashën. Kjo ka filluar me Berishën dhe ka vazhduar. Basha ka paguar konsekuencat e një situate që është në vazhdim e sipër por nuk është se solli ndonjë gjë të re. Megjithatë, mendoj se PD-ja është forca më e madhe opozitare dhe i duhet koha për të reflektuar dhe për të parë si do të ndryshojë.

    Data: 13 Gusht 2017 19:00
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera