Kthehu lart

Alarm, Shqipëria po mbetet pa simbolin kombëtar, shqiponjat janë në zhdukje

Alarm, Shqipëria po mbetet pa simbolin kombëtar, shqiponjat janë në zhdukje GazetaExpress

Shqiponja i ka shoqëruar shqiptarët në rrjedhën e historisë si simboli i forcës dhe krenarisë, por që dita-ditës ky shpend i rrallë rrezikon të na mbetet vetëm në flamur.

Sa serioze është kjo situatë, mund ta kuptojmë fare mirë në pyjet madhështore të Qafështamës që dikur ishin foleja e madhe e shumë shkabave, e sot është ulur drastikisht numri i tyre.

Specialistët e mjedisit japin alarmin dhe bëjnë thirrje të merren masa, që edhe për brezat e ardhshëm ky shpend të mos jetë legjendë.

“Nga 1997 deri më sot nuk kemi konstatuar asnjë shfaqje të shqiponjës së madhe në rrethin e Krujës. Faktorët kryesorë janë njerëzit dhe prishja e ekosistemit për këtë shpend”, shprehet Neim Herri nga ADZM, Krujë.

Specialisti Sabah Veseli tregon edhe disa faktorë kanë ndikuar në uljen e numrit të shqiponjave.

"Mbas vitit 90 nga futja në shfrytëzim e pyllit, nga zhurmat e motosharrave dhe sidomos me hapjen e depove të armatimit, nuk u pa më shqiponja në rrethin e Krujës. Asnjë lloj ekzemplari nuk është parë nga ana jonë, edhe nga inventarizimi i bërë nga ne, shqiponja nuk është parë më. Për këtë ka ndikuar edhe gjuetia e paligjshme”, thekson për "Report TV", Sabah Veseli, Specialist mjedisi

Rreziku për zhdukjen e shqiponjave nuk ekziston vetëm në qarkun e Krujë, por në të gjithë Shqipërinë. Kjo do të ishte e pafalshme për secilin prej nesh dhe do të tregonte edhe njëherë paaftësinë tonë për të mbrojtur autoktoninë tonë.

    Data: 14 Shkurt 2018 19:25
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera