Kthehu lart

Si filloi lufta para 17 viteve në Tetovë (VIDEO)

Si filloi lufta para 17 viteve në Tetovë (VIDEO) GazetaExpress

Pikërisht sot më 14 mars, 17 vjet më parë në Tetovë filluan krismat e para e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtarë në Kalanë e Tetovës.

Mu në këtë ditë ishte thirrur një protestë masive nga shoqatat joqeveritare si ajo e ish të burgosurve dhe përndjekurve politik shqiptarë, Shoqata e Gruas Shqiptare dhe shoqata tjera.

Brohoritjet e shumë protestuesve shqiptarë ishin të shumta por e veçanta e kësaj proteste ishte pikërisht në momentin kur protestuesit brohorisën “Ndal dhunës ndaj shqiptarëve”, për një çast u zëvendësuan me brohoritjet “UÇK, UÇK”, të cilat brohoritje pasuan pas krismave të para të ushtarëve të UÇK-së në Kalanë e Tetovës.

Ishte 13 marsi i vitit 2001, kur tre grupe të UÇK-së, me nga 11-12 veta u ngjitën rreth kalasë së Tetovës e cila është një pikë strategjike.

Grupi i parë i luftëtarëve u vendos brenda në Kala ndërsa grupi i dytë u pozicionua në krahun e majtë të Kalasë, në vendin e quajtur Stermoll. Grupi tjetër i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare u përqendrua në fshatin Gajre, që i bie të jetë krahu i djathtë mbrojtës i Kalasë së Tetovës.

Po atë ditë në fshatin Sellcë u instalua njësiti i parë i Logjistikës së UÇK, që do luante një rol të rëndësishëm.

Këta tre grupe me nga 11-12 shqiptar do të krisnin pushkën e parë paraditen e 14 mars 2001. Ajo pushkë nuk do të trondiste vetëm Tetovën, por të gjithë Maqedoninë. Jehona e kësaj krisme do të dëgjohej kudo.

    Data: 14 Mars 2018 11:02
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera