Kthehu lart

Rikthehet debati për shqipen në Kuvendin e Maqedonisë

Rikthehet debati për shqipen në Kuvendin e Maqedonisë GazetaExpress

Rikthehet debati për gjuhën shqipe në Kuvend, i cili u ndërpre më 23 shtator për shkak të zgjedhjeve lokale.

Deputeti i BDI-së Xhevat Ademi, iu drejtua deputetit të VMRO-DPMNE-së Panço Minovski, duke e porositur të mësojë gjuhën shqipe për të mos pasur nevojë të dëgjojë fjalët e tij me kufje në vesh.

“Koleg Minov, pikërisht ne këtë e propozojmë që të mos jeni deputet me kufje, por ta mësoni gjuhën shqipe. Të komunikosh ashtu siç unë komunikoj unë me ty dhe për atë nuk duhet të jeni deputet me kufje”, u shpreh Xhevat Ademi, Deputet i BDI-së.

Menjëherë ka reaguar deputeti i VMRO-DPMNE-së duke thënë se me Kushtetutën e Maqedonisë nuk ndalohet përdorimi i gjuhës shqipe në institucione pasi që shqiptarët kudo që shkojnë mund të flasin shqip, si në ministri ashtu edhe në komuna.

“Ajo që lejon Kushtetuta është se, nëse në Kavadar apo në Probishtip ka ndonjë shqiptar i cili dëshiron ta shfrytëzojë të drejtën e tij të përdorimit të gjuhës shqipe, në atë rast, komunikimi duhet të zhvillohet përmes Agjencisë për përdorimin e gjuhëve. Në çdo njësi të vetqeverisjes lokale, ku nuk ka shqiptarë, të mos futet dygjuhësia. Kjo nuk do të na bëjë më të afërt me njëri-tjetrin”, tha Panço Minovski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

E deputetja e LSDM-së po mundohet ta bindë opozitën se duhet të votohet ky ligj dhe më pas të bëhet debat publik dhe të shtrohen amendamente.

“I nderuar publik maqedonas, ky ligj duhet të sillet pasi që e dini edhe ju se kjo çështje mbeti e hapur edhe 16 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, edhe është kushtetues pasi që ai bazohet në amendamentin e pestë i cili më pas është vënë edhe në Kushtetutën e RM-së”, tha Zhaklina Llazarevska, Deputete e LSDM-së.

Debati për gjuhën shqipe në kuvend sipas kryetarit Talat Xhaferi, mund të zgjas deri ditën e premte dhe të votohet në fazën e parë  të propozim ligjit për gjuhën shqipe. VMRO-DPMNE-ja opozitare ka ndryshuar qëndrimin, për shqipen. Dikur këtë propozim-ligj e konsideronte anti-kushtetues, ndërsa sot e quajti si ligj që nuk ndihmon në promovimin e jetës së përbashkët të popullatës në Maqedoni.

    Data: 13 Nentor 2017 18:16
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera