Kthehu lart

Qeveria nuk ka vendosur për fuqinë plebishitare të referendumit

Qeveria nuk ka vendosur për fuqinë plebishitare të referendumit GazetaExpress

Për t’u realizuar me sukses referendumi për ndryshimin e emrit, nevojitet që rreth 900 mijë qytetarë me të drejtë vote të dalin në votim, ndërsa më shumë se gjysma prej tyre të votojnë pro ndryshimit të emrit.

Në rast se në referendum nuk dalin më shumë se gjysma e trupit votues, edhe sikur të gjithë ata që kanë votuar janë shprehur pozitivisht, referendumi dështon. Këto janë kushtet juridike për një referendum të suksesshëm që burojnë si nga Kushtetuta ashtu edhe nga Ligji për Referendum.

NENI 73 I KUSHTETUTËS
“Kuvendi vendos për shpalljen e referendumit për çështje të caktuara nga sfera e tij me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve. Vendimi në referendum është i miratuar, nëse për të kanë votuar shumica e votuesve të cilët kanë votuar, në rast se kanë votuar më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të votuesve. Kuvendi është i obliguar të shpallë referendum nëse propozim do të sjellin së paku 150.000 zgjedhës. Vendimi i miratuar në referendum është i obligueshëm”

Kusht i ngjashëm parashihet edhe në Ligjin për Referendum, gjegjësisht nenin 30 të këtij ligji ku thuhet:

LIGJI PËR REFERENDUM NENI 30
“1. Vendimet në referendum në nivel shtetëror vlerësohen si të miratuara nëse për ta kanë votuar shumica e numrit të përgjithshëm të qytetarëve që kanë votuar, nëse kanë votuar më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të qytetarëve të regjistruar në Listën zgjedhore, përveç se në rastet kur për çështje të ndara me Kushtetutë dhe me këtë ligj përcaktohet ndryshe”.

Në paragrafin e dytë të po këtij neni thuhet se Kuvendi është i obliguar që në afat prej 60 ditëve pas shpalljes së rezultateve të referendumit të rregullojë çështjen ose ligjin për të cilin është vendosur në referendum, në përputhje me rezultatet e referendumit.
Por, referendumi i shumë përfolur për ndryshimin e emrit të shtetit nuk paraqet kërcënim serioz për implementimin e marrëveshjes mes kryeministrit Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras. Kjo pasi ligji për referendum ofron dy lloje të referendumeve, referendum obligativ që obligon Kuvendin të respektojë rezultatin e referendumit dhe referendum konsultativ, i cili përdoret vetëm për konsultim të qytetarëve, por nuk është obligues në marjen e vendimit përfundimtar.

LIGJI PËR REFERENDUM NENI 8
(1) Referendumi shpallet për vendosje të qytetarëve ose për konsultim të qytetarëve.

(2) Vendimi i miratuar në referendum për vendosje është i obligueshëm.

(3) Vendimi i miratuar në referendum për konsultim nuk është i obligueshëm.

Mundësinë e shfrytëzimit të alternativës së referendumit konsultativ e përmendi dje edhe kryeministri Zoran Zaev pas prezentimit të marrëveshjes së arritur me homologun e tij grek Aleksis Cipras. Ai tha se ende nuk kanë vendosur nëse referendumi do të jetë obligativ apo konsultativ./SHENJA

    Data: 13 Qershor 2018 19:15
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera