Kthehu lart

Përvjetori i konfliktit të armatosur, ish ushtarët ndihen të nënçmuar

Përvjetori i konfliktit të armatosur, ish ushtarët ndihen të nënçmuar GazetaExpress

Edhe 17 vite nga krisja e pushkës së parë në Kalanë e Tetovës, të cilës iu bashkëngjitën qindra të ri e të reja, statusi i ish ushtarëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së, mbetet i pazgjidhur institucionalisht. Pakënaqësia tek ish luftëtarët sa vjen e rritet. Ata madje thonë se sot ndjehen dyfish të nënçmuar, sepse edhe pas 17 viteve, statusi i ish luftëtarëve dhe invalidëve të luftës mbetet pezull.

Sot ndjehemi dyfish të nënçmuar. E para se qëllimi i luftës së 2001 nuk u realizua, jam i bindur se për çdo ushtar të UÇK-së apo invalid, sikur të zgjidhej statusi i shqiptarëve në Maqedoni, statusi politik e juridik i shqiptarëve  do ishte arritur 90 për qind. Mirëpo sot kemi nënçmim në dy aspekte. I pari se nuk u zgjodh ky status dhe bile u nëpërkëmb dhe pjesa tjetër që ne si shqiptar në përgjithësi e veçanërisht shtresa politike dhe mbi gjitha ata që sot thirren në emër të kësaj lufte kanë lënë të nëpërkëmbet statusi juridik kushtetues i këtij shteti i dëshmorëve të rënë në luftën e 2001 që edhe sot quhen terrorist dhe kriminel – tha Besim Hoda, Ish ushtar i UÇK-së.

Kjo pakënaqësi sot u shpreh edhe nga zëvendëskryeministri Maqedonisë dhe komandanti i asaj kohe i Brigadës 112, Hazbi Lika. Ai në fjalimin e tij sot me rastin e manifestimit të “Pranverës së dinjitetit”  pranoi se nuk është bërë sa duhet për dëshmorët dhe të plagosurit e luftës edhe pas 17 vitesh.

Shpesh nuk jam i kënaqur me punët të cilat i bëjmë, e keni vënë re shpesh them që duhet në vazhdimësi të punojmë . Cilat janë arsyet që kërkoj që gjithnjë të jemi të rreshtuar dhe të realizojmë detyrat tona sipas pozitave dhe mundësive që kemi, dhe janë pikërisht këto dy fakte të cilat i përmenda, janë dëshmorët e kombit të cilët ranë për ne dhe janë të plagosurit e luftës që lanë gjurmë nëpër këto male – deklaroi Hazbi Lika, Ish komandant i brigadës 112.

Në manifestimin e “Pranverës së Dinjitetit” që shënohet çdo vit në Kalanë e Sellcës, për të rikujtuar krismat e para në kala të Tetovës, sot morën pjesë ish luftëtarë nga gjitha trojet shqiptare. Manifestimi i begatua edhe me një program të pasur kulturor dhe artistik./Gazeta Express/

    Data: 14 Mars 2018 16:14
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera