Kthehu lart

Nuk do te ketë rikonstruim të Qeverisë, por Thaçi ende i ka dyert e hapura

Nuk do te ketë rikonstruim të Qeverisë, por Thaçi ende i ka dyert e hapura GazetaExpress

Nuk do të ketë rikonstruim të Qeverisë, por kabineti qeveritar vetëm do t’i plotësojë vendet e zbrazura në resorin shëndetësi, ku ministrin duhet ta propozojë Aleanca për shqiptarët, kurse BDI duhet të dalë me propozimet e veta për pozitën ministër pa resor dhe zëvendësministër të arsimit, mëson POST.mk, nga një funksionar i lartë i LSDM-së.

Por, kjo nuk do të thotë edhe mbyllje e derës në “Ilindenska” për Menduh Thaçin, sepse LSDM-ja dhe BDI-ja akoma luajnë në kartën e hyrjes së PDSH-së në Qeveri.

Sipas kësaj, Aleanca për shqiptarët do të duhet të vendosë se cili do të jetë propozimi që do t’ia dorëzojë Zaevit për kolltukun e shëndetësisë. Burime partiake njoftojnë se zgjedhja do të bëhet midis Vullnet Feratit, ish-kryetar i Bordit Drejtues të Fondit të Shëndetësisë dhe drejtorit të Klinikës së Syve, Bekim Tateshi. Nga ana tjetër, LSDM-ja tanimë i kontrollon biografitë e të dy kandidatëve.

Zëdhënësi i Aleancës, Flakron Bexheti, thotë se varësisht prej vendimit të kryeministrit nëse do të ketë rikonstruim apo jo, organi partiak do të mblidhet për të diskutuar rreth propozimit për ministrin e ri të shëndetësisë.

Para se të dihet pasardhësi i Arben Taravarit, pritet që të ketë edhe një takim midis Zaevit dhe liderit të Aleancës, Ziadin Sela.

Por, tani për tani nga LSDM-ja nuk ka detaje si se Zaev do ta zgjidhë mosdurimin midis Selës dhe liderit të BDI-së, Ali Ahmeti që integruesit ta votojnë ministrin e ri nga radhët e Aleancës.

POST.mk, tanimë publikoi se BDI-ja nuk do të votojë për një ministër nga Aleanca, përveç nëse Sela paraprakisht nuk i kërkon falje Ahmetit për akuzat se ai qëndron pas tentimit për likuidim të kreut të Aleancës.  Nga BDI-ja mbeten në qëndrim se Aleanca nuk mund të jetë pjesë e Qeverisë dhe se këtë e di edhe kryeministri Zaev.

Nga Aleanca njoftojnë se Sela jo vetëm që nuk ka për qëllim t’i kërkojë falje Ahmetit, por, përkundrazi, ai pret që lideri i BDI-së t’i kërkojë falje atij, sepse më 27 prill Ahmeti nuk ka qenë në Kuvend dhe duke ditur se çfarë do të ndodhë, nuk e ka paralajmëruar Selën.

Kjo nga ana tjetër do të thotë se Zaev do të duhet t’i “hekurosë” marrëdhëniet midis Ahmetit dhe Selës, që të mund të sigurojë 61 vota në Kuvend, për ministrin e ri nga Aleanca.

    Data: 14 Nentor 2017 19:02
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera