Kthehu lart

Në Ohër mbahen takimet e procesit Jean Monnet (VIDEO)

Në Ohër mbahen takimet e procesit Jean Monnet (VIDEO) GazetaExpress

Sonte në Ohër nis punimet takimi parlamentar në kuadër të proceseve Jean Monnet, të iniciuar nga euro-deputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein.

Takimin do ta hapin tre eurodeputetët me fjalimet e tyre, ndërkaq, eurokomesari për zgjerim, Johanes Han do të ketë paraqitje nëpërmjet video lidhjes.

Në takim marrin pjesë deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, të udhëhequr nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe tre nënkryetarët. Këto bisedime do të kulminojnë me darkë zyrtare në të cilën pritet të marin pjesë kryetarët e partive politike dhe kryeministri Zoran Zaev.

Nëse realizohet ky takim, do të jetë i pari në këto përmasa pas takimit të Zaevit me kryeministrin grek Aleksis Cipras. Bisedimet thelbësore mes grupeve parlamentare dhe deputetëve pritet të fillojnë nesër.

Temë qendrore do të jenë çështjet kryesore që lidhen me Rregulloren për punën e Kuvendit, Kodi Etik dhe pavarësia e buxhetit të Kuvendit. Duke pasur parasysh se konstituimi i Kuvendit dhe pyetjet e deputetëve janë pjesë e planit 3-6-9, takimet në kuadër të procesit Jean Monnet janë llogaritur si pjesë e reformave në vend, ndërsa pritet që të kontribuojnë edhe në përmirësimin e dialogut politik në vend.

Takimit në Ohër i ka paraprirë përputhja e qëndrimeve mes grupeve parlamentare, veçanërisht për Rregulloren për punën e Kuvendit dhe për kodin etik. Burime nga vetë grupet parlamentare i kanë thënë Agjencisë së Lajmeve MIA se për shumë çëshje ka pajtim mes tyre, por ka edhe çështje për të cilat pushteti dhe opozita janë me qëndrime të ndara. Ndër pikat më problematike të cilat pritet të diskutohen në këtë takim është kërkesa e partive në pushtet që diskutimet për çdo ligj të kufizohen në tre ditë, si dhe të definohen format e grupeve parlamentare.

Por, ky propozim ashpër është kundërshtuar nga partia më e madhe në opozitë, VMRO-DPMNE. Nga ana tjetër këta të fundit kanë propozuar buxhet të pavarur për Kuvendin, si dhe status të veçantë për administratën e Kuvendit. Këto takime u planifikuan fillimisht të mbahen në muajin janar në shtëpinë e Jean Monnet në Paris. Por me kërkesë të kreut të VMRO-DPMNE-së, takimi u zhvendos në Ohër dhe i njëjti u shty për më 17 dhe 18 maj.

    Data: 17 Maj 2018 19:30
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera