Kthehu lart

Merkel: Maqedonia dhe Greqia afër zgjidhjes për emrin. Han: jam optimist, por zgjidhje nuk ka ende

Merkel: Maqedonia dhe Greqia afër zgjidhjes për emrin. Han: jam optimist, por zgjidhje nuk ka ende GazetaExpress

Diplomacia ndërkombëtare ka dërguar porosi inkurajuese për zgjidhjen e kontestit me emrin

Maqedonia dhe Greqia kanë shënuar përparim në rrugën rreth çështjes së emrit, ka deklaruar kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila në margjina të Samitit të Sofjes ka takuar kryeministrin, Zoran Zaev.

“Definitivisht është një lajm shumë i mirë që të dyja vendet janë afër zgjidhjes së emrit dhe me këtë Maqedonia po bën hapa të mëdha drejt anëtarësimit të saj në BE. Maqedonia por edhe Shqipëria, çdo ditë po shënojnë përparim në plotësim të kushteve për anëtarësim, sidomos kjo vlen për Maqedoninë. Pres nga vendet e Ballkanit Perëndimor që deri në Samitin e qershorit të ecin fuqishëm në këtë drejtim, edhe pse sot nuk ka pasur caktim të datës për zgjerim të BE-së, ajo ka gjasa të ndodhë në Samitin e qershorit dhe vendet e Ballkanit do të duhet t’i plotësojnë kushtet në sundimin e të së drejtës, luftës kundër krimit dhe korrupsionit”,- deklaroi kancelarja gjermane, Angela Merkel.

 Edhe eurokomisioneri, Johannes Hahn, ka vlerësuar se Maqedonia dhe Greqia janë në rrugë të mirë për ta zgjidhur çështjen e emrit, por ende nuk ka marrëveshje përfundimtare.
 
“Çdoherë jam optimist dhe vazhdoj të jem akoma, por zgjidhje nuk ka ende. Mendoj se të dy vendet janë në rrugë të mirë, por puna nuk ka përfunduar, sipas asaj që kuptova. Besoj se deri në muajin qershor mund të ketë diçka pozitive dhe shpresoj se mund të ketë përparim që do të kishte efekt në Samitin e qershorit”,- theksoi Johanes Hahn.               
 Ndërsa liderja e partisë opozitare bullgare, BSP, Kornelija Ninova, ka shprehur besimin e saj se Maqedonia dhe Greqia shumë shpejt do të arrijnë zgjidhje për çështjen e emrit.
 
Në ditën e Samitit në Sofje është publikuar edhe një hulumtim ku tregon se 70 për qind e bullgarëve kanë dëgjuar për negociatat mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin e shtetit, dhe se bullgarët qëndrojnë në anën e Maqedonisë në kontestin me Greqinë për emrin e shtetit.
 
Vetëm 26 për qind e të anketuarve nuk kanë dëgjuar për këto negociata, ndërsa 4 për qind të tjerë nuk deshën të përgjigjen.
 
Sipas këtij studimi, bullgarëve nuk u pengon që emri Maqedoni të mos ndryshohet. 54 për qind mendojnë se emri i shtetit nuk duhet të ndryshohet, ndërsa 19 për qind vlerësojnë se megjithatë emri duhet të ndryshohet.

    Data: 17 Maj 2018 16:50
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera