Kthehu lart

Komuna Çair shënoi 105-vjetorin e Çlirimit të Shkupit

Komuna Çair shënoi 105-vjetorin e Çlirimit të Shkupit GazetaExpress E diel, 13 Gusht 2017 12:19

Me vendosjen e kurorës me lule para përmendores së Hasan Prishtinës dhe vizitës së mozaikut në Kompleksin Memorial "Gjergj Kastrioti Skenderbeu" për të reflektuar rreth së kaluarës sonë të lavdishme dhe ruajtjes së idealeve kombëtare brez pas brezi, pasardhësit e kryengritësve të shquar dhe historianë të vendit shënuan dje 105 vjetorin e çlirimit të Shkupit, njoftoi me anë të një komunikate komuna Çair.

Krenar me veprën e lavdishme të paraardhësve të tyre, Mehmet Prishtina – pasardhës i Hasan Prishtinës, Gazmend Boletini – pasardhës i Isa Boletinit dhe Sylë Zhitia – vëllai i Afrim Zhitisë shikonin sot mozaikun e vendosur në Sheshin "Skënderbeu" të Shkupit në të cilin me mjeshtëri të veçantë estetike e artistike është përshkruar rrugëtimi ynë kombëtar ndër shekujt e historisë dhe kujtonin kontributin e familjarëve të tyre që sot Shkupi të frymojë shqip, thuhet në kumtesën e Komunës së Çairit.

"E shënojmë çlirimin e Shkupit, për mua ka një barrë të veçantë, njëkohësisht po bëhet edhe inaugurimi i memorialit i cili përfshin në kronologji të të gjitha periudhave historike duke filluar nga Lidhja e Lezhës, Lidhja e Prizrenit, 28 Nëntori deri te lufta e lavdishme e UÇK-së", ka thënë Mehmet Prishtina.

Ata vlerësojnë lartë punën kombëtare që Komuna e Çairit dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup po bëjnë në vazhdimësi për të ruajtur thesarin historik e kulturor që na bashkon shpirtërisht kudo që të ndodhemi.

"Mendoj se nga viti 2012 kemi filluar së bashku me Institutin e Trashëgimisë në Shkup dhe Komunën Çair t'i ngrisim vlerat historike të popullit tonë. Shkupi është një nga qytetet që na mbjell vazhdimësi dhe i thërras të gjithë që të marrin pjesë edhe viteve tjera për të nderuar çlirimin e Shkupit", deklaroi Gazmend Boletini.

Këtë ngjarje me peshë të madhe në faqet e historisë e nderuan historiani dhe drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup Skender Asani i cili në detaje shpjegoi kuptimin e mozaikut të vendosur në Sheshin "Skënderbeu" dhe punën që me përkushtim po realizohet në Shkup për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe historiani Nebi Dervishi.

"Njëqind e pesë vjetori i çlirimit të Shkupit është një ngjarje e madhe në histografinë shqiptare sepse e përshpejtoi rrumbullakësimin e konceptit të krijimit të shtetit me 28 Nëntor të vitit 1912. Sa i përket kësaj date Shkupi e pret me një ngjarje, koncept të jashtëzakonshëm sidomos me Sheshin 'Skenderbeu' dhe muralin – mozaikun që po e shohim pas meje i cili rrumbullakëson gjithë historinë e shqiptarëve në Ballkan", theksoi Skender Hasani.

Më tej Nevi Dervishi shton se mozaiku është një kryevepër e cila e jetëson historinë kombëtare duke filluar nga shekulli i 15-të e duke u dhënë peshë besëlidhjes së Lezhës, Lidhjes së Prizrenit duke pasqyruar të gjitha figurat eminente në periudha të ndryshme historike.

    Data: 13 Gusht 2017 12:19
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera