Kthehu lart

Asnjë gjurmë e hajnave të Tetovë

Asnjë gjurmë e hajnave të Tetovë GazetaExpress

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se gjatë ditëve të kaluara janë marrë masa për zbardhjen e dy rasteve, ku krahas bastisjeve – po ashtu janë kontrolluar edhe rrugët në qytetin e Tetovës

Gati se pesë ditë, policia e Tetovës ende është në kërkim të personave të dyshuar për dy plaçkitjet si në filma të marketeve dhe veturës së kompanisë të sigurimit që transportonte paratë nga marketi Kipper. Nga policia e Tetovës thonë shkurt se po punohet në identifikimin e autorëve të dy vjedhjeve, por asgjë konkrete nuk ka, shkruan gazeta KOHA.

“Janë marrë masa dhe aktivitete për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të këtyre dy vjedhjeve dhe në momentet kur do të ketë diçka të re, do t’ju njoftojmë me shkrim”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Sipas informacioneve zyrtare, policia deri më tani ka bastisur nëpër disa shtëpi ku ka patur edhe të dyshuar në lidhje me këtë rast, por nuk ka grumbulluar dëshmi të mjaftueshme për të arrestuar ndonjë person që është implikuar në dy vjedhjet. Sipas burimeve jozyrtare, policia ka humbur gjurmët edhe në vjedhjen e dytë, pasi që hajnat kanë shkyçur telefonat që kishin vjedhur në market. Ende nuk dihet nëse ka patur kamera të sigurisë të vendosura që do të mund të çonin në kapjen e hajnave.

Përndryshe, policia e Tetovës është vënë në kërkim të personit i cili mëngjesin së premtes së kaluar, me pushkë automatike ka grabitur veturën me të cilën ishin marrë paratë në supermaketin Kiper në lagjen 109 në Tetovë.

“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 9 e 45 minuta, kur një i punësuar i një Agjencie për Sigurim ka hyrë brenda në market, ndërsa një tjetër ka qëndruar jashtë në veturën Fiat Dabllo. Në ndërkohë, në vendngjarje ka arritur një person i panjohur me skuter dhe me pushkë automatike ka goditur personin në veturë, e ka tërhequr dhe e ka nxjerrë jashtë, kurse vet me veturën është larguar nga vendi i ngjarjes. Më pas, vetura është gjetur në rrugën Industriale në afërsi të një pompe të benzinës. Në ndërkohë, personi i panjohur është larguar në drejtim të panjohur”, thotë Fatmir Rexhepi, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

As për këtë vjedhje nuk është arrestuar asnjë person i cili në mesditë dhe në mes qytetit ka arritur që të kryejë plaçkitje. Dhe, përderisa policia është duke e kërkuar hajnin e plaçkitjes së të premtes së kaluar, një vjedhje tjetër e rëndë si nëpër filma ka ndodhur në Tetovë në një market në rrugën “Vidoe Smilevski Bato”, nga dy persona të maskuar, të shtunën mbrëma. Sipas policisë, rreth orës 21.10 minuta, në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë personi I.S 32 vjeçar nga Tetova, i punësuar në një market në rrugën Industriale, ka denoncuar se dy persona të panjohur, duke e kërcënuar me pistoleta, kanë kryer plaçkitje, me ç`rast kanë marrë 32.146 denarë, ndërsa nga denoncuesi kanë marrë një telefon celularë, kurse nga tre persona të tjerë që kanë qenë në market, pas kryerjes së kontrollit – kanë marrë 2200 denarë, dhe dy telefona celularë dhe e kanë lëshuar vendin e ngjarjes.

Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se gjatë ditëve të kaluara janë marrë masa për zbardhjen e dy rasteve, ku krahas bastisjeve, po ashtu janë kontrolluar edhe rrugët në qytetin e Tetovës. Nuk dihet nëse policia do të kërkojë nga gjykata të marrë xhirimet e sigurisë nëpër rrethrrutullimet kryesore të qytetit, të cilët mund edhe të ndihmonin në identifikimin e autorëve të vjedhjeve spektakolare në Tetovë. 

    Data: 13 Qershor 2018 21:45
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera