Kthehu lart

1 vjet pas marrjes së mandatit, Zaev ua fali “gjynahet” Thaçit dhe Bajramit

1 vjet pas marrjes së mandatit, Zaev ua fali “gjynahet” Thaçit dhe Bajramit GazetaExpress

Sot mbushen një vjet, prej kur lideri i LSDM-së, Zoran Zaev e mori mandatin nga presidenti Gjorge Ivanov, që të formojë kabinetin qeveritar.

Pas një loje disamujorshe nga ana e presidentit i cili nuk ia jepte mandatin, pasi që paraprakisht Nikolla Gruevski dhe partia e tij VMRO-DPMNE, nuk kishin arritur marrëveshje për formim të qeverisë me BDI-në, shkruan Portalb.mk.

Asokohe, pas një presioni shumë të madh të brendshëm dhe ndërkombëtar, Ivanov, pas shumë refuzimeve, ftoi Zaevin që ta marrë mandatin, por të betohet në një deklaratë, e cila nuk ishte bërë asnjëherë më parë, pasi që rendi juridik i Maqedonisë e parashikon të njëjtën, por sipas Kushtetutës, presidenti e ka obligim të ia japë mandatin, pra pa kushte.

Megjithatë Zaev pranoi dhe e nënshkroi publikisht deklaratën në të cilën betohej se:

Garantojmë se do ta mbrojë identitetin, sovranitetin, integritetin territorial, pavarësinë dhe multietnicitetin e Republikës së Maqedonisë;
Garantojmë se do ta mbroj rendin kushtetues dhe tërësinë territoriale të Republikës së Maqedonisë;

Garantojmë mbrojtje të interesave shtetërore dhe avancim të jetës së të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, religjioze apo gjuhësore;
Garantojmë se procesi i miratimit të vendimeve për qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të jetë në pajtueshmëri me parimet themelore demokratike dhe sundimin e ligjit, duke mos e sjellë Maqedoninë në situatë të përkuljes apo varësisë prej ndonjë shteti tjetër.

Asnjë dokument, platformë, deklaratë, akt ose veprim, të cilën do të jenë në kundërshtim me qëndrimet e lartpërmendura, nuk munden të jenë kusht as bazë për formimin dhe veprimin e Qeverisë së Maqedonisë.Me marrjen e mandatin, pas dy javëve u formua qeveria, fillimisht në përbërjen qeveritare ishin: LSDM kishte 49 deputetë në Kuvend, BDI 10 deputetë dhe Aleanca për Shqiptarët tre deputetë, transmeton Portalb.mk.

Shumica e ngushtë parlamentare, shfaqi nevojën që të zgjerohet koalicioni me qëllim të komoditetit të numrave. Kështu që, nga nëntori i vitit 2017-të, kryeministri Zaev, paralajmëroi rikonstruim të Qeverisë, me këtë rast paralajmëroi zgjerim të shumicës parlamentare.

Zgjedhjet lokale acaruan partnerët qeveritar, gjegjësisht kryeministri Zoran Zaev dhe parti e tij LSDM publikisht e përkrahu BDI-në nëpër të gjitha komunat ku ai garonte, ndërkaq nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët dhe opozitarja Lëvizja BESA i përkrahnin kandidatët e njëri tjetrit.

Zgjedhjet lokale mbaruan, sherri brenda koalicionit qeveritar vazhdoi. Problemi kryesor ishte që kandidati i Aleancës për Shqiptarët për kryetar të Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, i cili asokohe ishte ministër i Shëndetësisë i kishte fituar zgjedhjet dhe tani partia kërkonte që në vend të tij, me Ministrinë e Shëndetësisë të udhëheq dikush tjetër. Megjithatë, kryeministri Zaev nuk ia dha këtë pozitë Aleancës, por emëroi një funksionar nga partia e tij. Aleancës për Shqiptarët i ofroi një post të ri, zëvendëskryeministri, që Ziadin Sela e refuzoi duke e quajtur ministri byreku. Pas kësaj, Aleanca doli nga qeveria, por jo edhe partneri i saj i koalicionit RDK-ja me kryetar Vesel Memedin, që kishte vetëm një deputet.

Me këtë rast, numrat e shumicës parlamentare mbetën në 59, megjithatë kishte paralajmërime për zgjerim të shumicës me deputetë tjerë.

I pari që iu bashkëngjit shumicës parlamentare, ishte deputeti i koalicionit të VMRO-DPMNE-së, Çedomir Sazdovski, duke shtuar kështu numrin në 60. Në ndërkohë, shumicës parlamentare iu kyç edhe deputeti i Partisë Demokratike Turke, që më herët ka qenë në koalicion me VMRO-DPMNE-në, Jusuf Hasani, përcjellë Portalb.mk.

Pas kësaj, bisedimet mes kryeministrit Zaev dhe partive opozitare shqiptare vazhduan. Aleanca për Shqiptarët, për këto bisedime kishte qëndrim të qartë duke theksuar se nuk kthehet në qeveri, ndërkaq krahu i Lëvizjes BESA me kryetar Bilall Kasmin, pas disa muajve bisedime të njëjtat i ndërpreu.

Më 15 maj, kryeministri Zaev arriti marrëveshje me Menduh Thaçin, gjegjësisht PDSH-në që ka 2 deputetë, Lëvizjen BESA ku kryetar është Afrim Gashi që ka 3 deputetë, Lidhjen e Romëve, ku kryetar është Amdi Bajram që ka 1 deputet.
Me këtë, momentalisht shumica parlamentare gjithsej numëron, 67 deputetë, ndërkaq ka gjasa që t’i bashkohet shumicës edhe një deputet nga koaliconi i VMRO-DPMNE-së, gjegjësisht Pançe Minovë. /Express/

    Data: 17 Maj 2018 14:43
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera