Kthehu lart

Troude: Gjermania e ka dashur gjithmonë dhe e do Kosovën pa Serbinë

Troude: Gjermania e ka dashur gjithmonë dhe e do Kosovën pa Serbinë GazetaExpress

Perëndimi kurrë nuk ka dashur që Kosova të jetë me Serbinë. Që nga Kushtetuta e vitit 1974, kur Serbia “u nda në tri pjesë”, ekziston plani për shkëputjen e saj. Këtë e donte Gjermania dhe që atëherë ekziston vazhdimësia. Prandaj, është mashtrim se për këtë çështje mund të bisedohet me Bashkimin Europian në të cilin fuqia më e madhe është Gjermania, e cila nuk do dhe kurrë nuk ka dashur që në çfarëdo modeli Serbia të jetë me Kosovën.

Kështu, thotë gazeta e Beogradit “veçernje novosti”, të jetë përgjigjur historiani e gjeopolitologu francez Alexis Troude në pyetjen “pse Bashkimi Europian në dialogun Beograd- Prishtinë po e favorizon palën kosovare. Sipas tij, transmeton Koha.net. kompromisi që nga fillimi nuk ka qenë i mundur e çështja e Kosovës po shikohet se çështje e rendit të ri botëror në të cilin rol të madh po luajnë vendet e BRIKS-it (Brazili, Rusia, India, Kina, Republika e Afrikës Jugore).

Lidhur me Kosovën, Shqipërinë e Ballkanin, gazeta e Beogradit ka bërë pyetje sipas apetiteve të nacionalizmit e hegjemonizmit serb e historiani francez Troude, të paktën sipas asaj që ka publikuar “novosti”, nuk ka përtuar të përgjigjet po në këtë frymë.

Në Serbi ka mendime se zgjidhja mund të gjendet në konferencën ndërkombëtare. A ia vlen të niset në këtë rrugë?

Kjo do të mund të ishte zgjidhja, ashtu siç ka qenë shumë herë në historinë e Ballkanit – 1815 dhe 1878. Në konferencën e tillë do të mund të ndryshoheshin kufijtë që Tito i kishte imponuar pa referendum dhe pa vullnetin e të gjithë popujve të Ballkanit. Sipas mendimit tim, në të ardhmen do të mund të formohej federata sllave e Serbisë, Republikës Serbe dhe Maqedonisë.

Nga vendet perëndimore kemi dëgjuar disa herë se nuk ka ndryshim kufijsh...

Është në interes të Perëndimit të thotë ashtu. E interesi i rendit të ri botëror që po e ndërtojnë Rusia, India dhe Kina është i kundërt, përkatësisht qëllimi është që duke u mbështetur në Kombet e Bashkuara, të organizohet konferenca ndërkombëtare dhe që në të flitet për kufijtë e rinj.

A e parashikoni Shqipërinë e madhe?

Rritja e Shqipërisë është në trend që nga viti 1912. Ajo do ta kishte një të tretën e Maqedonisë, jugun Kosovës, jo Dukagjinin dhe një pjesë të Malit të Zi. Cilado qeveri të jetë në pushtet në Mal të Zi, ajo do të detyrohet që shqiptarëve t’iu japë më shumë të drejta në veri dhe në perëndim të vendit, po sipas sistemit që është në Maqedoni.

Në cilën periudhë e prisni një zgjidhje të tillë?

Gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm. Juncker ka thënë se viti 2025 është datë indikative për fillimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe në këtë kohë do të mund të mbahej konferenca ndërkombëtare.

E në hartën “re” të Ballkanit, a e shihni Serbinë me Kosovën?

Serbia në këtë çështje doli naive. Në vitet e 90 –ta thuhej: Ruajuni që të mos bëhet Serbia e madhe e dhe se nuk ia vlen të luftohet për asgjë. Nga ana tjetër, "Shqipëria e madhe" de facto është këtu. Nuk e kuptoj pse pushteti serb, cilido qoftë, turpërohet dhe gjithmonë mendon se në politikë ka disa rregulla. Ky është mashtrim i madh. Kështu mendojnë edhe rusët, se janë disa të vërteta. Në politikë nuk ka të vërtetë. Në Perëndim kjo dihet dhe atje ekziston vetëm realpolitika: Kemi interesat tona dhe shkojmë përpara.

A nuk është paradoks që BE kërkon nga Serbia të mos e pengojë rrugën europiane të Kosovës, derisa përbrenda Unionit pesë shtete nuk e njohin Kosovën?

Ky është paradoks. Këto pesë vende nuk do ta njohin kurrë Kosovën, ndërsa nuk përjashtohet që edhe shtete të tjera ta ndryshojnë mendimin. Pas pesë vjetësh, situata nuk do të jetë e njëjtë. Për këtë arsye Serbia aktualisht duhet të jetë e fortë dhe ta mbajë drejtimin e vet.

    Data: 26 Mars 2018 13:16
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera