Kthehu lart

Shefja e KQZ'së: Pas 19 nëntorit flas rreth heqjes së balotazhit

Shefja e KQZ'së: Pas 19 nëntorit flas rreth heqjes së balotazhit GazetaExpress

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor Valdete Daka thotë se zgjedhjet e 22 tetorit ishin më të rregulltat prej se KQZ’ja i organizon ato. Daka për Gazetën Express flet rreth qëndrimeve të saj për heqjen e balotazhit dhe zgjedhjen e kryetarëve të komunave që në raundin e parë. Ajo tregon pse ka më shumë votues sesa banorë dhe pse ka kaq shumë fletëvotime të pavlefshme në zgjedhje.

Valdete Daka thotë se vendi shënoi zgjedhje shembullore më 22 tetor. Marrë parasysh parregullsitë që kanë shoqëruar gjithmonë zgjedhjet, si vjedhjet e votave e të ngjashme, Daka përmend se këto zgjedhje të fundit janë lavdëruar edhe nga monitorues ndërkombëtarë, të cilët i cilësuan si më të rregulltat deri tani.

“Konsideroj se këto zgjedhje janë më të mirat që janë organizuar në Kosovë nga KQZ’ja, këtë së fundmi e ka vërtetu edhe shefi i vëzhguesve të misionit të BE’së në Kosovë, i cili po ashtu ka thënë se Kosova ka organizuar zgjedhjet më të mira deri më tani”, deklaroi Daka për Gazetën Express.

Zgjedhjet mund të ishin më të mirat, por as ato nuk kaluan krejt pa incidente. Më 22 tetor, edhe pse të pakta, pati raste të manipulimeve të votave e policia raportoi edhe për arrestime.

Por, a pati parregullësi gjatë numërimit të votave?

Daka thotë se akoma nuk është e njoftuar rreth mbarëvajtjes së numërimit të votave për asamblistë, por kur flet për votat e kryetarëve të komunave, ajo shprehet e kënaqur për numrin tejet të vogël të parregullsive. Deri më tani, thotë ajo, "jemi marrë me votat e kryetarëve të komunave, ndërkaq sa i përket numërimit të materialit për asamblistë pritet materiali nga QNR (Qendra e Numërimit dhe Rinumërimit)”.

“Ka pasur shumë pak kuti që kanë shkuar në rivotim, që është një numër rekord, rreth 11 kuti në rinumërim prej 2.505  kutive që kanë qenë në total, edhe ato kanë qenë gabime të vogla, të cilat fare nuk kanë ndryshuar rezultatin”, ka thënë Daka.

Procesi zgjedhor edhe më tej ka probleme në Kosovë. Vendi ka më shumë votues sesa që ka banorë.

Lidhur me këtë, kryetarja e KQZ’së thotë se problemi në shifra vjen si pasojë e mospërputhjes së regjistrimit të popullsisë dhe listave të votimit.

“Lista e votuesve nuk e pasqyron regjistrimin e popullsisë. Në regjistrimin që ka ndodhur në vitin 2011 nuk janë regjistruar qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës, ndërsa në listën e votuesve gjenden edhe ata. Prandaj na del ky disproporcion”, është shprehur Daka.

Përveç listave të papastruara të votuesve, Daka thotë se Komisioni Zgjedhor ka shumë çështje për të analizuar, por që organizimi i zgjedhjeve që nga maji pandërprerë i ka pamundësuar këtij Komisioni që të thellohet në analiza.

Zgjedhjet në Kosovë karakterizohen edhe me numër të lartë të votave të pavlefshme. Në zgjedhjet nacionale të 11 qershorit 7.2 për qind e votave të tërësishme ishin të pavlefshme.

Daka thotë se në zgjedhjet lokale të 22 tetorit ka rënie të dukshme të fletëvotimeve të pavlefshme. Ajo tregon se shumica e fletëvotimeve të pavlefshme ose janë dëmtuar qëllimisht, ose ka pasur gabime ne votim.

“Me sa e di unë numri i fletëvotimeve të plavlefshme ka rënë dukshëm në këto zgjedhje, por ende nuk i kemi të dhënat e sakta se sa fletëvotime janë të pavlefshme. Fletëvotimet dëmtohen qëllimisht, ose votohet gabimisht, s’votohen subjektet, por vetëm kanididatët etj.”.

Tani që zgjedhjet e 22 tetorit përfunduan, KQZ’ja po përgatitet për balotazhin që, sipas Dakës, do të ishte më mirë sikur të hiqej krejtësisht.

Kryetarja e KQZ’së para disa ditëve kishte deklaruar se, sipas saj, zgjedhjet lokale nuk do të duhej ta kishin edhe balotazhin.

Daka pat thënë se balotazhi i jep mundësinë partive politike që të bëjnë pazare rreth komunave dhe është humbje kohe e kosto e lartë.

E pyetur nëse do të ishte plotësisht demokratike zgjedhja e kryetarëve pa balotazh, Daka thotë se për qëndrimin e saj rreth heqjes së raundit të dytë do të flasë pasi të përfundojnë tërësisht zgjedhjet lokale.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të zhvillohet në 19 komuna, ndërsa për kryejen e këtij procesi Daka thotë se KQZ-ja disponon me buxhet të mjaftueshëm./Express/

    Data: 31 Tetor 2017 16:13
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera