Kthehu lart

Versioni i Ramush Tahirit: Qeveri VV-LDK, Shpendi Kryeministër, Arbani kryetar i Prishtinës

Versioni i Ramush Tahirit: Qeveri VV-LDK, Shpendi Kryeministër, Arbani kryetar i Prishtinës GazetaExpress

Ka rënë poshtë opsioni i PAN’it për ndërtimin e institucioneve duke kontrabanduar deputetë. Opsioni i PAN’it me AKR’në në Qeveri gjithmonë është në tavolinë, megjithëse ka probleme sa i përket ndarjes së pushtetit. Opsioni real është edhe një Qeveri VV-LDK me Shpend Ahmetin Kryeministër e Arban Abrashin Kryetar të Prishtinës. Opsioni i fundit me pak gjasa të ndodhë është një Qeveri teknike. Realisht, bllokada tremujore po u konvenon të gjitha partive politike për zgjedhjet lokale. Analisti politik, Ramush Tahiri, flet për Express.

Express: Shumëkush po e ndërlidh bllokadën politike në Kosovë me zgjedhjet lokale. A ka ndërlidhje dhe sa janë gjasat që themelimi i institucioneve të vonohet deri pas zgjedhjeve lokale?
Ramush Tahiri: Bllokada institucionale e moskrijimit të organeve shtetërore të dala nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit është e shkaktuar nga rregullimi i PAN për të propozuar kandidatët për kryetar dhe nënkryetarë të Kuvendit, e që i takojnë ekskluzivisht vetëm asaj si koalicion që ka fituar më së shumti vota dhe ka dalë e para forcë politike pas zgjedhjeve. Tash duket që ky ngërç politik po u konvenon të gjitha partive politike dhe është shumë real parashikimi se vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme gjatë muajit nëntor dhjetor të këtij viti. Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri më 10 shtator atëherë në zgjedhje nuk mund të shkohet më 22 tetor pra bashkërisht  në zgjedhje komunale e nacionale. Edhe PDK, edhe LDK,  edhe VV, duket se nuk po i konvenon krijimi i Qeverisë, e as mbajtja e dy palë zgjedhjeve njëkohësisht. Këto duan të provohen në zgjedhjet komunale duke përpunuar pikat e dobëta dhe të forta të tyre. Partitë dëshirojnë të provohen jo në koalicione por si subjekte të vetme,  sepse të gjithë tash janë të pakënaqur me rezultatet e arritura si koalicione dhe sidomos si parti brenda koalicionit. Nëse nuk gjendet zgjidhja deri me 10 shtator ose nuk shpërndahet Kuvendi deri me këtë datë atëherë nuk zihet afati prej 40 ditësh të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 22 tetor.

Express: Pozicioni aktual i LDK’së po shihet se është kundër një bashkëqeverisjeje me PAN’in. A mund të ndryshojë ky pozicion apo koalicioni i ardhshëm qeveritar do të ndërtohet me PAN’in dhe AKR’në?
Ramush Tahiri: LDK ka marrë qëndrim të prerë që të ndalë rënien e mëtejme si subjekt. Për këtë po tenton t’i kthehet vlerave burimore rugoviane si po thonë. Pra, po merr linjë të pakompromisë karshi refuzimit të bashkëpunimit me PDK  sepse kjo parti ka marrë mësime nga tradhtia e PDK’së dhe bërja bashkë e të gjithëve në mocionin kundër LDK’së , pra, Qeverisë Mustafa. E vetmja mundësi mbetet qeverisja PAN -AKR, por kjo do të ishte një Qeveri e brishtë dhe e paqëndrueshme, sepse AKR nuk mund të japë më shumë se dy deputetë, duke pasur parasysh refuzimin kategorik të deputetit Korab Sejdiu dhe kalimin e Behgjet Pacolli në Qeveri e cila me 20 deputetë të minoriteteve me Teuta Rugovën dhe me dy  deputetë të AKR i ka vetëm 62 vota  që nuk e bënë një qeveri stabile që mundet me i çu përpara proceset e  mëdha.

Express: Duhet të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme apo duhet të vazhdojnë përpjekjet për të ndërtuar një Qeveri bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit. Cila është zgjidhje më e mirë, sipas jush?
Ramush Tahiri: Duket se mundësitë për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës me koalicion ose me kontrabandim deputetësh janë shterur edhe pse variante teorike ekzistojnë ende deri në javën e dytë të shtatorit, mandej është e sigurt se shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit me votat e më shumë se 80 deputetëve. Opsioni PAN-AKR është gjithmonë aktual. Pengesë mund të jetë ndarja e posteve ministrore sepse nëse Pacolli i merr 3-4 ministri, atëherë, Lista Serbe me të drejtë i kërkon gjashtë ministri konform fuqisë së saj politike e kuvendore si partner i koalicionit qeverisës. Opsion tjetër është që AAK e Nisma me 16 deputet të bëjnë koalicion me VV që ka 32 deputetë dhe së bashku me minoritetet të bëjnë Qeverinë me 68 vota, duke e lënë në opozitë PDK dhe LDK. Opsion tjetër është që t’i kalojnë ndasitë dhe kundërshtitë ndërmjet vete VV dhe LDK dhe të krijojnë në marrëveshje qeverisëse katërvjeçare , një Qeveri stabile së bashku me minoritetet 81 vota.  Në ndarje të pushtetit dhe si kompromis mund të pajtohen që Shpend Ahmeti të jetë Kryeministër i Kosovës ndërsa kandidati i LDK Arban Abrashi të bëhet kryetar i Prishtinës. Pra LDK e VV të bashkëpunojnë dhe të ndihmojnë njëra- tjetrën në zgjedhjet komunale dhe në një bashkëqeverisje në nivel komunal dhe qendror. Opsion tjetër është krijimi i një Qeverie teknike me përkrahje të gjerë, me mandat njëvjeçar dhe me detyra konkrete e me afate konkrete të zbatimit me emra ministrash me duar të pastra dhe me kredibilitet profesional. Unë nuk besoj se kjo do të ndodhë me gjithë presionin ndërkombëtar, sepse nuk ka vullnet politik e gatishmëri nga asnjë parti politike.

Në ndarje të pushtetit dhe si kompromis mund të pajtohen që Shpend Ahmeti të jetë Kryeministër i Kosovës ndërsa kandidati i LDK Arban Abrashi të bëhet kryetar i Prishtinës

Express: Kujt mund t’i kushtojë më shumë bllokada institucionale në rezultatin e zgjedhjeve lokale?

Ramush Tahiri: Në zgjedhje lokale do të paralizohen ato parti që dalin se janë kapëse të shtetit, një lloj uzurpatore dhe kontrolluese jodemokratike të shoqërisë, përgjegjëse për mosluftim të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, përgjegjëse për prapambetjen e Kosovës në të gjitha fushat dhe posaçërisht për mosliberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Në zgjedhje lokale sipas procedurës do të paralizohen partitë e vogla dhe të ndikimit minor e lokal , partitë që në skenën politike janë bisht i partive të mëdha dhe janë parti që fusin hipokrizi dhe kritere joparimore në veprim dhe në koalicione duke bërë pazare herë me njërën herë me tjetrën parti të madhe politike pavarësisht orientimit ideologjik.

    Data: 03 Shtator 2017 16:00
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera