Kthehu lart

Ramiz Lladrovci flet pas fitores: Drenasi e pa punën time

Ramiz Lladrovci flet pas fitores: Drenasi e pa punën time Albioneta Ademi Autori: Albioneta Ademi GazetaExpress

Në zgjedhjet e 22 tetorit, Partia Demokratike e Kosovës fitoi vetëm Drenasin pa balotazh. Në vazhdën e intervistave me kryetarë që fituan pa balotazh, Gazeta Express ka intervistuar edhe Ramiz Lladrovcin, i cili flet për fitoren e tij, qeverisjen e kaluar, sulmet ndaj tij e deri te planet për ta kthyer Drenasin në qytet shembull.

Lladrovci në garë për kryetar ishte sfiduar edhe në nëntor të kaluar, kur Drenasi kishte hyrë në zgjedhje të jashtëzakonshme. PDK me të, për herë të parë, shkoi në balotazh.

Por, një vit pas, Lladrovci i bindi qytetarët, aq sa ta votojnë që në rundin e parë, duke shënuar fitore me  58.99  për qind të votave.

Kryetari i Drenasit thotë për Gazetën Express se qytetarët e panë punën efektive dhe transparente të tij, si dhe zbatimin e ligjit.

“Qytetarët e panë efikasitetin e qeverisjes, zbatimin e ligjit, premtimet e realizuara, se administrata është në shërbimin e tyre, se barazia para ligjit ishte e panegociueshme, se të akuzuarit dhe të dënuarit largohen deri në përfundim të procedurave ligjore”, thotë Lladrovci.

Kjo është fitorja e dytë e Lladrovcit, por e para kaq bindshëm, sepse ai në nëntor të vitit të kaluar në zgjedhjet e jashtëzakonshme, i rrezikoi PDK’së për herë të parë fitorën në bastionin e saj, Drenasin.

“Zbatimi i ligjit pa dallim, punët e kryera në infrastrukturë, cilësia e punëve, arsimi dhe shëndetësia, marrëveshjet në lëmin e arsimit, bashkëpunimi në lëmin ekonomik, studimi i fizibilitetit për ngrohtore, realizimi i të gjithë tenderëve më 7 shtator, kursimet deri në 70% dhe shumë aktivitete tjera”.

Drenica ishte e Partisë Demokratike që nga themelimi i saj, por Lladrovci thotë se partia nuk është arsyeja e vetme pse qytetarët e Drenasit e zgjodhën atë.

“Drenica ishte, është dhe do të jetë bastion i PDK-së, por, ne i nënshtrohemi vlerësimit të qytetarëve, ata e vlerësojnë lidhjen në mes të asaj që thuhet dhe asaj që bëhet”, është shprehur Lladrovci.

Ai thotë se qytetari i Drenasit tashmë i jep rëndësi zbatimit të ligji dhe bën vlerësim objektiv të punëve, për të votuat më tej.

“Unë, fjalët i bëj vepra, as nuk premtoj kur nuk e realizoj. Puna jonë është e vlerësuar”, thotë Lladrovci për qeverisjen e tij.

Kryetari i Drenasit thotë se Drenasi ka parë vetëm pak nga puna që ai planifikon për ta. Katër vjetët e ardhshme, Lladrovci parasheh që të mënjanojë problemet infrastrukturore, të rrisë cilësinë e arsimit dhe të shëndetësisë.

Lladrovci tregon se keq nuk do t’i lë as sferat tjera, derisa Drenasin ta bëjë qytet të dëshirueshëm nga të gjithë.

“… do ta bëj qytetin e Drenasit qytet të dëshirueshëm për jetë e për punë, do ta ndryshoj Drenasin, ashtu siç e duan qytetarët, të qetë, të sigurt, qytet shembull”.

Kundërshtarët Lladrovcit ia vështirësuan punët në asamblenë komunale mjaftë shumë mandatin e kaluar, por ai thotë se është mësuar me këtë dhe se ‘Unë di të ballafaqohem me vështirësitë e pushtetit lokal’.

Tutje, ai flet edhe për sulmin ndaj tij gjatë fushatës, me c’rast Policia arrestoi Fitim Bazajn, vëllain e anëtarit të PDK’së, Naim Bazaj, që e kundërshtoi haptas kandidimin e Lladrovcit e në zgjedhjet e jashtëzakonshme, Bazaj kishte kandiduar si i pavarur.

“Unë nuk kam probleme me askënd, por me keqbërësit ka punë ligji. Unë i kam trajtuar të gjithë kundër kandidatët njëjtë, si qytetar të mirë të Drenasit, por, për ta udhëhequr komunën, ka vendosur qytetari, jo pozat as demagogjia”, përfundon Lladrovci. /Express/

    Data: 26 Tetor 2017 13:08
    Autori: Albioneta Ademi

    Të tjera